Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës në Veri duhet të “justifikohen”, meqë sipas tij, po shtrihet sovraniteti në atë pjesë, derisa ka kërkuar nga Serbia që ta arrestojë kryekriminelin Milan Radojiçiç.
“Të gjitha këto veprime justifikohen, sepse Kosova po përpiqet ta shtrijë sovranitetin e plotë të saj, por që nuk ishin të dobishme sa i përket marrëdhënieve me Serbinë.
Beogradi nga ana e tij mobilizoi forcat përgjatë kufirit me Kosovën. Patëm një episod të dhunshëm në Banjë dhe ai që pranoi fajësinë për këtë akt terrorizmi ende shëtit i lirë në Serbi”, tha ai një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Patëm pastaj një letër të kryeministres serbe e cila shprehu rezerva për marrëveshjen, në të cilën thoshte se kurrë nuk do ta njohim Kosovën. Këto janë hapa prapa dhe për pasojë mund të themi se procesi i normalizimit ka ngecur”, shtoi ai.
Kupchan, i cili ka punuar në dy administrata amerikane si drejtor për Evropën në Këshillin për Sigurinë Kombëtare, pret që trysnia mbi Prishtinën dhe Beogradin të rikthehet pas një pauze për shkak të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara dhe mbetet optimist për një epilog të këtij procesi.
“Mendoj që Bashkimi Evropian do të vazhdojë të nxisë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë siç e sheh të domosdoshme. Përpjekjet e tyre janë të përqendruara në përmbylljen e këtij procesi.
A do mund të kenë marrëdhëniet më të fuqishme ekonomike ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Serbisë ndikim pozitiv në marrëdhënien e përgjithshme? Po, sepse kontaktet më të shpeshta dhe lidhjet më të mëdha ekonomike janë më mirë se sa më pak”, tha profesori amerikan.
Lini një Përgjigje