Kurti: Kur Serbia flet për vrasje e dhunë, flet për vete e jo për Kosovën, ne jemi për paqe

12 Gusht 2022, 10:52Rajoni TEMA

Kurti: Kur Serbia flet për vrasje e dhunë, flet për vete e jo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për vete, “flasin për imagjinatën e mendimet e tyre”.

Ky reagim vjen një ditë pasi presidenti serb, Vuçiq deklaroi në Beograd se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar popullsisë serbe që jeton në Kosovë.

Por, Kurti pas një vizite që i bëri Doganave të Kosovës më 12 gusht, tha se Kosova është për paqe dhe stabilitet.

“Kur ata flasin, nuk janë duke folur për neve, por për vete. Ne jemi për paqe, siguri, stabilitet afatgjatë dhe duhet që me shtetin tonë jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit dhe progresin”, tha Kurti.

Ai sërish akuzoi Serbinë se ka nxitur rritjen e tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë, duke shprehur pakënaqësinë e vendimeve të Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, bllokuan rrugët në veri.

Lini një Përgjigje