Kush ia "grabiti" Kosovës gjashtë muaj shtet ?!

27 Gusht 2025, 15:00Rajoni TEMA
Kush ia "grabiti" Kosovës gjashtë muaj shtet ?!

Nga Musa Kurtulaj

Pas më shumë se 200 ditësh të paralizës institucionale, Kuvendi i Kosovës më në fund zgjodhi me 26 gusht kryetarin e tij, Dimal Bashën nga Vetëvendosje. Një proces që duhej të mbyllej brenda pak ditësh, u shndërrua në një makth gjashtëmujor, me 57 seanca të dështuara, në një vend pa kuvend funksional dhe pa qeveri të re. Kjo nuk është thjesht vonesë, është abuzim i drejtpërdrejtë me besimin e qytetarëve dhe me kushtetutën e shtetit.

Pse ndodhi ngërçi?

Sepse partitë politike e përdorën institucionin më të lartë të demokracisë si skenë për inate, kalkulime dhe pazare, duke harruar interesin publik. Vetëvendosja, si forca fituese, refuzoi për muaj të tërë të nxirrte një kandidat që do të mund të fitonte konsensusin. Opozita, në vend që të ishte konstruktive, u bë penguesja kryesore, duke e kthyer seancën e Kuvendit në arenë bllokimesh, ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe Presidentja reaguan vonë, vetëm pas presionit të fortë ndërkombëtar. Pra, secili prej aktorëve kryesorë në Kosovë mbart një pjesë të madhe të përgjegjësisë.

Çfarë humbi Kosova?

Humbi besimin e qytetarëve. Shpresa e 9 shkurtit u kthye në zhgënjim. Populli që votoi për ndryshim, pa vetëm grindje.
Humbi para dhe investime. Fondet nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, në vlerë qindra milionëshe, mbetën të bllokuara. Reformat për shëndetësinë, arsimin, energjinë e gjelbër – të gjitha u lanë në pritje.Humbi kohë të çmuar për dialogun me Serbinë. Pa kuvend të konsoliduar, Kosova shkoi e papërgatitur në tryezat ndërkombëtare, duke i lënë Beogradit hapësirë për të forcuar pozitat.
Humbi reputacionin ndërkombëtar. Një shtet i vogël si Kosova, që ende lufton për njohje e stabilitet, nuk mund t’ia lejojë vetes luksin e krizave të tilla të zgjatura.

Çfarë u fitua?

Asgjë për qytetarët. Fitore morën vetëm politikanët që treguan se kush e ka më të madhe egon dhe kush mund të bllokojë më gjatë institucionet. E vetmja gjë që “u fitua” është fakti se pas gjashtë muajsh, partitë u bindën të bënin atë që mund ta bënin që në javën e parë të zgjedhjeve të 9 shkurtit– të zgjidhnin një kryetar Kuvendi. Kjo është tallje me popullin. 

Kush mban përgjegjësi?

Vetëvendosja me Albin Kurtin, për arrogancën politike.Opozita, për lojën e pengimit.
Gjykata Kushtetuese dhe Presidentja, Vjosa Osamani, për vonesën në ndërhyrje.
Në fund, të gjithë bashkë e lanë Kosovën gjashtë muaj në rrugë pa krye.

Mesazhi për qytetarët

Kosova nuk ka luks të humbë më gjashtë muaj, as edhe gjashtë ditë. Çdo ditë pa institucione funksionale është ditë e humbur për zhvillimin, për integrimin dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja. Politikanët mund të shfajësohen me fjalë, por përgjegjësia e tyre është e shkruar me fakte: mbeti Kosova gjashtë muaj pa parlament funksional !

Pyetja që mbetet pezull është kjo:
“Kush do t’ia kthejë popullit kohën e humbur? Kush do të mbajë përgjegjësi për dëmët e shkaktuara?” Asnjë nga politikanët e Prishtinës nuk don të ia dijë për pasojat që i shkaktuan Kosovës 6 muaj vonesa institucionale ! Kjo është tallje me popullin e Kosovës !

Lini një Përgjigje