Kushtetuesja kërkoi mbylljen e procesit brenda 30 ditëve, sot tentativa e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

27 Qershor 2025, 08:49Rajoni TEMA
Kushtetuesja kërkoi mbylljen e procesit brenda 30 ditëve, sot

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 38-të me radhë për ta konstituar legjislaturën e nëntë të këtij institucioni, pas disa seancash të dështuara.

Seanca e fundit e mbajtur të mërkurën ishte vazhdim i asaj të ndërprerë më 23 qershor. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, bëri thirrje që subjektet parlamentare që ende nuk kishin propozuar anëtarë për Komisionin Zgjedhor, i cili ka për detyrë organizimin e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit, ta bënin këtë. Megjithatë, ato nuk paraqitën kandidatura.

Pavarësisht mungesës së propozimeve të reja, Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit bazuar në emrat e propozuar më herët. Nga 92 deputetë të pranishëm, 52 votuan pro, pa vota kundër apo abstenime.

Pas këtij hapi, Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës dhe caktoi rifillimin e saj për sot, e premte, më 27 qershor, në orën 11:00.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar një aktgjykim ku thekson se seanca konstituive e kësaj legjislature duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga fillimi i saj. Gjykata konstatoi gjithashtu se zhvillimi i seancës që nga nisja e saj më 15 prill dhe vazhdimet e deritanishme nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, duke përfshirë edhe kalimin e votimit për kryetar Kuvendi nga i hapur në të mbyllur.

Kjo situatë ka nxitur shqetësime për krizën institucionale dhe paralizën funksionale të Kuvendit, me palët politike që ende nuk kanë arritur një marrëveshje për ta përmbyllur këtë proces.

1 Komente

  1. A
    Agim

    Le te jemi te sinqerte. Kosova eshte nje krahine/fshat qe s prodhon dot elita dhe per pasoje s mbijeton dot si entitet shteteror. Mjafton tu shohesh cfare budallalleqesh komentojne ose flasin e cfare votojne per te kuptuar qe me ikjen e pashmangshme te amerikes ne vitet e ardhshme, ky entitet i quajtur Kosove do rikthehet ne Serbi.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje