Sot LDK ka mbajtur një ceremoni përkujtimore për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalës së tij ka thënë se Kosova do ta kujtojë Bukoshin gjithmonë si kryeministër të lirisë, ndërsa LDK si bashkëthemelues të shpirtit të saj politik.
Fjalimi i kryetarit të LDK-së, dr. Lumir Abdixhiku në mbledhjen komemorative për dr. Bujar Bukoshin
“Të nderuar familjarë të Dr. Bujar Bukoshit,
E nderuara Zonja Zana Bukoshi, e nderua Ora, Shota e Nita,
Të nderuar bashkëveprimtarë të tij,
Të nderuar përfaqësues institucionalë,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Sot, në këtë Mbledhje Komemorative, po i japim lamtumirën e fundit njërit prej patriotëve të vendit, që e deshi Kosovën jo vetëm me fjalë, por me vepër; që nuk u mjaftua me ëndrrën për shtet, por punoi për këtë ëndërr çdo ditë të jetës së tij.
Dr. Bujar Bukoshi nuk ishte vetëm një politikan i dalluar, një lider në kohë të turbullta, por ishte një njeri i kohës së vet dhe përtej saj – një mjek, një intelektual, një vizionar, një shtetformues. Prandaj, sot nuk po përcjellim vetëm një njeri të çmuar – por një epokë të tërë të rezistencës sonë politike, intelektuale e shtetformuese.
Dr. Bujar Bukoshi ishte emër i përveçëm në një kohë të shquar.
Ai lindi më 1947, në Suharekën e heshtur të një kohe të vështirë. Shkollën fillore e kreu po në Suharekë, ndërsa gjimnazin në Prizren më 1964. Studimet e mjekësisë i kreu pranë Universitetit të Beogradit në janar të vitit 1971. Specializoi nga urologjia në Prishtinë dhe Beograd më 1977. Si bursist i DAAD-së (Shërbimit Gjerman për Shkëmbim Akademik) ishte në përsosje profesionale si mjek në Klinikën Urologjike të Spitalit Kemperhof në Koblenz të Gjermanisë. Më 1984 u përzgjodh bursist i Senatit të Berlinit për Familje dhe Çështje Sociale dhe nga vitet 1984-1985 punoi si mjek në Klinikën Urologjike të Klinikës Steglitz të Universitetit të Lirë të Berlinit Perëndimor ku u mor me hulumtime. Më 1985 mbrojti doktoraturën në fushën e onkologjisë urologjike.
Bujar Bukoshi qysh herët, dëshmoi një ndjeshmëri të thellë për të drejtën, për dinjitetin, për lirinë. U kthye në Prishtinë, për t’i shërbyer popullit të tij si një nga mjekët më të përkushtuar të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Por Bujar Bukoshi nuk e kufizoi veten në praktikën mjekësore. Ai kuptoi se Kosova kishte nevojë për një kurë më të madhe – për një ndërhyrje historike në plagët e saj të pashëruara politike. Ishte kjo vetëdije që e shtyu të bëhej pjesë e lëvizjes intelektuale të viteve ’80, e cila pastaj mori formën politike me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1989. Ai ishte ndër bashkëthemeluesit e shtëpisë së madhe të demokracisë – dhe për shumë vite, nën udhëheqjen e presidentit Rugova, u bë zëri dhe dora e parë e shtetit në ekzil.
Në vitin 1991, ishte Dr. Bujar Bukoshi që mori përgjegjësinë të udhëhiqte Qeverinë e Republikës së Kosovës në mërgim. Ishte kjo një barrë e jashtëzakonshme, e një patrioti të madh, e jashtë çdo realiteti të mëparshëm politik.
Pas një qëndrimi prej 6 muajsh në Bled të Sllovenisë, ai dhe Qeveria e Republikës së Kosovës në Ekzil u instalua në Gjermani. Nga Ulm-i dhe Bonn-i, Dr. Bukoshi dhe ekipi i tij ministror, angazhoheshin që nëpërmes kontakteve me qeveritarë dhe parlamentarë evropianë të informonin shtetet perëndimore mbi dhunën dhe terrorin sistematik shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ata punonin njëkohësisht për ta sensibilizuar opinionin publik për situatën e rëndë dhe rreziqet që mund të pasonin nga eskalimi i mëtejmë.
Ai nuk e kishte Republikën siç e kemi sot, nuk kishte administratë, nuk kishte buxhet shtetëror, nuk kishte institucione tjera ndihmëse – por kishte diçka më të fuqishme: kishte popullin. Dhe me popull, kishte idealin tonë të përbashkët për liri. Mbi këtë ideal ai ndërtoi mekanizmat e vet shtetit.
Ai udhëhoqi nga mërgata. Organizoi, loboi, ndërtoi ura diplomatike me Perëndimin, për të bërë Kosovën të pranishme aty ku ajo ende nuk ishte njohur. Në tavolina ku përfaqësimi ynë mungonte, ishte fjala e tij që merrte peshë. Në forumet ku Kosova nuk kishte karrige, ishte zëri i tij që e përfaqësonte. Ai nuk ishte vetëm Kryeministër në mërgim – ishte kolona kurrizore e një shteti në ndërtim.
Nën udhëheqjen e tij, për vite të tëra, Qeveria në ekzil e mbajti të gjallë idenë e Republikës. Në bashkëpunim të ngushtë me mërgatën, mbajtën institucionet arsimore dhe shëndetësore në Kosovë. Bukoshi me Qeverinë e tij ofroi jo vetëm ndihmë praktike, por mbi të gjitha, u bënë frymëzim për rezistencë. Para dhe gjatë luftës, ai kontribuoi në ndërtimin dhe funksionalizmin e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe Forcave të Armotosura të saj.
Ai besonte thellësisht – si Rugova – se Kosova e ka vendin e saj në botën e lirë, në NATO, dhe në Bashkimin Evropian.
Në të vërtetë, sa herë të flasim për shtetformimin e Kosovës, do të flasim për tri shtylla: për popullin që nuk u dorëzua, për filozofinë që nuk devijoi, dhe për njerëzit që mbajtën barrën. Bujar Bukoshi ishte ndër këta të fundit. Ai ishte udhërrëfyes dhe ndërtues i asaj që më vonë do të bëhej realitet – shteti i pavarur i Kosovës.
Sot, kur shikojmë prapa, e kuptojmë se sa e madhe ishte barra që ai mori dhe sa e qetë ishte mënyra me të cilën ai e mbajti. Me dinjitet. Me qetësi. Me urtësi. Ai nuk e ngriti zërin për të dëgjuar veten – por për t’u dëgjuar Kosova.
Në jetën e tij të mëvonshme, Bukoshi u rikthye në Kosovën e çliruar. U përball me sfidat, me vështirësitë e tranzicionit, me një realitet të ri politik e institucional. Edhe pse herë-herë mund të mos ishte i kuptuar plotësisht, edhe pse historia jonë politike pas luftës shpesh u bë e ashpër e përçarëse, ai mbeti një figurë me vizion, që kurrë nuk hoqi dorë nga bindja se Kosova do të bëhej shtet funksional dhe i drejtë.
Më 2007, Dr. Bukoshi u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në vitin e pavarësisë, ishte bashkënënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 2009 u emërua Ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës dhe inicioi reforma të rëndësishme në këtë digaster. Nga marsi i vitit 2011 deri në tetor të vitit 2014 shërbeu si Zëvendës Kryeministër dhe në këtë detyrë mbikëqyri punën e Ministrisë për Shëndetësi, Ministrisë për Mjedis dhe Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Të dashur të pranishëm,
Sot, ne nuk po e ndajmë vetëm dhimbjen për ndarjen nga jeta të një figure historike – po ndajmë përgjegjësinë që amanetin e tij ta çojmë përpara. Ne jemi brezi që e trashëgojmë veprën e tij. Dhe në këtë trashëgimi, është një detyrë e qartë për secilin prej nesh: ta mbrojmë Kosovën nga përçarjet, nga rrëshqitjet, nga devijimet prej rrugës euro-atlantike. Të punojmë për një shtet që nuk përjashton, që nuk hakmerret, që nuk harxhon energji për luftë brenda vetes. Sepse vetëm atëherë, sakrifica e brezit të Bukoshit do të bëhet plotësisht kuptimplote.
Të dashur të pranishëm,
E nderuara Zonja Zana Bukoshi, e nderua Ora, Shota e Nita,
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për jetën dhe veprën e Bujar Bukoshit. Ai ishte një ndër themeluesit tanë, një figurë pa të cilin nuk mund të kuptohet historia e LDK-së dhe vet shtetit të Kosovës.
Sot, me dhimbje në zemër, por me krenari në kujtim, ne e vendosim emrin e tij në panteonin e figurave që e kanë mbajtur mbi supe barrën më të madhe të historisë sonë.
Kosova do ta kujtojë gjithmonë si Kryeministrin e Lirisë.
LDK do ta kujtojë gjithmonë si bashkëthemeluesin e shpirtit të saj politik.
Historia do ta njohë gjithmonë si burrështetasin e kohëve të vështira.
Dhe ne – ne do ta kujtojmë përherë si njeriun që na mësoi se shërbimi është forma më e lartë e atdhedashurisë.
U prehsh në paqe, Dr. Bujar Bukoshi.
Lavdi jetës dhe veprës sate!”
Duhet perkujtuar. Ka merite te madhe edhe dergimin e ushtarakeve te Ushtrise se kosoves ne mbrojtje te Shqiperise nga rreziku I Jugut, ne mbeshtetjen te operacionit te Saliu veriu kunder jugut ne vitin 1997.