
Millosh Jovanoviç, lideri i partisë së ekstremit të djathtë në Serbi, Partia e Re Demokratike e Serbisë, ka thënë se qëllimi i protestave në Serbi është një dhe i vetëm, largimi i Aleksandër Vuçiç-it nga pushteti, sepse, sipas tij, me Marrëveshjen në Bruksel dhe aneksin në Ohër, ai ka pranuar pavarësinë e Kosovës.
Jovanoviç, një euroskeptik që Bashkimin Evropian e quan projekt të vdekur, ka pikëpamjen se në raport me Kosovën më së miri është që të vazhdohet me status quo derisa të vijë një moment i përshtatshëm për ta rikthyer sërish Kosovën nën Serbi.
“Vuçiç brutalisht shkeli Kushtetutën e Serbisë pasi e pranoi marrëveshjen për njohjen e shkëputjes së Kosovës. Asgjë me pak. Një akt i tillë i tij, me të cilin mashtroi votuesit e vet, sjell jo vetëm përgjegjësi politike dhe historike, por edhe përgjegjësi penale-juridike”, ka thënë Jovanoviç në një intervistë për gazetën Danas.
Ai nuk beson se marrëveshja e arritur bazuar mbi planin franko-gjerman ka dështuar, pasi ndërkombëtarët janë sistematikë në përpjekjet dhe qëllimet e tyre.
“E sa i përket presionit ndaj Serbisë, sigurisht që do të rritet sepse Aleksandër Vuçiç pranoi të njëjtën marrëveshje dhe u angazhua që të punojë për zbatimin e saj”, thotë politikani radikal serb.
Jovanoviç e bën Vuçiç-in fajtor edhe për situatën e shkaktuar në Veri, e cila sic thotë ai nuk është e mirë për serbët e Kosovës.
Gjendja e serbëve në Veri të Kosovës “sigurisht që është pasojë e drejtpërdrejtë e Vuçiç-it”, deklaron.
“Serbët në Kosovë janë hedhur nga kjo qeveri, prandaj duhet ndryshuar sa më parë qeveria”.
Lini një Përgjigje