Ministrja e jashtme gjermane sulmon Beogradin: I hodhi benzinë zjarrit ndryshe nga Kosova që u tërhoq

11 Dhjetor 2022, 21:00Rajoni TEMA

 

Ministrja e jashtme gjermane sulmon Beogradin: I hodhi benzinë zjarrit

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka lëvduar Kosovën për hapa konkret në ulje të tensioneve dhe ka kritikuar Serbinë për veprime që bëjnë të kundërtën.

“Kosova reduktoi tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale”, shkruan Baerbock, derisa shton se “Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën”, në një postim në llogarinë e saj në Twitter.

Ajo veçanërisht ka kritikuar deklarimet nga zyrtarët serbë, përfshirë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, se po planifikojnë rikthimin e trupave në Kosovë.

“Sugjerimet për dërgimin e trupave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme”, shkroi diplomatja gjermane.

Sa për sulmet në veri, tha se ato kundër EULEX-it janë “të papranueshme”.

Në fund të cicërimës shkroi se “e gjithë mbështetja ime shkon për udhëheqësin e Dialogut Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak”.

Reagimi i Baerbock vjen pas atyre të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës e institucioneve të tjera ndërkombëtare, që njëzëri kanë dënuar sulmet në veri dhe kanë kërkuar largim të barrikadave atje.

Lini një Përgjigje