Pas zjarreve që shkrumbuan vendin, Greqia është goditur nga stuhi të shumta, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete.
Një çift austriak i cili po festonte muajin e mjaltit në vendin fqinj është shpallur i zhdukur pasi shirat e rrëmbyeshëm shkatërruan shtëpinë ku ata po qëndronin.
Çifti austriak vendosi të strehohej brenda një banese njëkatëshe, të cilën e kishin marrë me qira për muajin e tyre të mjaltit.
Pronari i banesës, Thanasis Samaras tha se vendpushimi pranë plazhit të Potistika, në malin Pelion, u shëmb si pasojë e vërshimit të ujit.
“Unë së bashku me disa pushues të tjerë ishim nisur për në një vend më të lartë dhe kishin këshilluar çiftin të bënin të njëjtën gjë. Situata ishte shumë e keqe. Është shumë e vështirë të vendosësh se çfarë të bësh në një moment të tillë,” tha Samaras për BBC.
Ai shtoi se çifti, nga qyteti austriak i Grazit, ishin martuar dhe menjëherë kishin mbërritur në Greqi për të nisur pushimet e tyre.
Brigada greke e zjarrfikëses tha se kishte një ekip në zonë që kërkonte të zhdukurit, përfshirë dhe të sapomartuarit.
Fusha e Karditës në Greqinë qendrore u përshkrua si e kthyer në një liqen, me fshatra përreth të zhytur në ujë.
Kryetari i Bashkisë së Palamas, Giorgos Sakellariou, bëri një thirrje dramatike për ndihmë në televizionin grek, duke thënë se njerëzit ishin të bllokuar në shtëpitë e tyre dhe se kishin nevojë për ndihmë të menjëhershme.
Kam qene disa vjet per pushime dhe peshkim ne ate zone deri para 10 vjetesh, quhet Ksino Vrisi, kurse vendi ku ka ndodhur fatkeqsia Potistika, nje plazh me te vertete i virgjer , me pak njerez . Aty ndodhet shtrati i nje perroi mjaft te madh qe nuk e kam pare kurre te kete uje , bile perdorej nga mjetet per te shkuar ne shtepite dhe dhoma hotelerie njekateshe te ndertuara pa kriter me teper ne anen jugore te perroit. Nje e njohura jone S.Samara jepte me qira ambiente te tilla, ne qe me sa po mesoj qenkan shkaterruar komplet. Me reshjet biblike qe ndodhen , prurjet do te ktheheshin ne nje perbindesh dhe do gjenin rrugen e tyre dhe nuk mund ti pengonte asgje. Humbja e dy turisteve eshte me te vertete e dhimbshme .Katastrofe e vertete.