Turqia, Platforma për Paqe dhe Dialogu Kosovë–Serbi

3 Gusht 2025, 19:40Rajoni TEMA

Turqia, Platforma për Paqe dhe Dialogu Kosovë–Serbi

Iniciativa e Turqisë për të ofruar “zgjidhje rajonale për probleme rajonale” përbën një vazhdimësi të politikave të Ankarasë, që prej vitesh synon të luajë rolin e garantueses së stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, krahas Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, vlerësojnë ekspertë të çështjeve rajonale për Albanian Post.

Kurt Bassuener, analist nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit, vlerëson se roli i Turqisë është rritur edhe për shkak të politikës së jashtme të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili gëzon raporte të mira me presidentin turk, Rexhep Tayyip Erdogan, duke qenë se ato karakterizohen nga një tendencë për të anashkaluar formatet tradicionale të diplomacisë, në favor të marrëveshjeve direkte mes liderëve.

Megjithatë, vëren Bassuener, ndonëse Turqia ka qenë një aktor i rëndësishëm rajonal për dekada, politika e saj – sikurse ajo e BE-së, SHBA-së, Rusisë, Kinës dhe shteteve të Gjirit Persik – theksin e saj kryesor e vendos në marrëdhënien me autoritetet në Serbi.

“Të gjithë aktorët aktivë gjeopolitikë kanë të njëjtët partnerë – elitën e etabluar politike që nuk është e interesuar të jetë e përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj. Pra, unë mendos se rezultati do të jetë thjesht një lloj ‘arbitrazhi’ midis aktorëve të jashtëm – dhe [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiç është mjeshtri rajonal në këtë lojë”, thekson ai.

Mehmet Ekinci, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave Sociale në Ankara, ndan gjithashtu mendimin se Turqia nuk është duke kërkuar të “rikthejë” ndikimin e saj, por është duke punuar për të forcuar ndikimin ekzistues.

“Turqia tashmë gëzon ndikim të konsiderueshëm në rajon, falë lidhjeve të forta ekonomike, shoqërore dhe politike. Kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me trashëgiminë osmane, ngase marrëdhëniet aktuale të Turqisë me Kroacinë dhe Slloveninë janë zhvilluar në mënyrë të krahasueshme me ato që ka me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Në pyetjen nëse Platforma për Paqe ka potencial për të shtyrë dialogun Kosovë–Serbi, ekspertët dyshojnë se ajo mund të arrijë ndonjë rezultat konkret, por në teori, shteti turk mund të përdorë ndikimin e saj për të krijuar një klimë të favorshme për dialog.


“Në afat të shkurtër, dyshoj, duke pasur parasysh dështimin e vazhdueshëm për të formuar një qeveri në Kosovë – dhe sfidën me të cilën përballet Vuçiç në rrugët e Serbisë nga protestat e iniciuara nga studentët, të cilat kanë zgjatur gati nëntë muaj”, konsideron Bassuener, derisa tregon se ku, sipas tij, mund të ndërhyjë Turqia.

“Në teori është e mundur që Turqia të inkurajojë një qeveri të re të Kosovës të hartojë një statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – pikë qendrore e fërkimit në dialog – që mund të kalojë në Gjykatën Kushtetuese”, shton tutje Bassuener.

E duke pasur parasysh qëndrimet e dy qeverive dhe problemet politike në të dy vendet, as Ekinci nuk pret progres në dialogun Kosovë-Serbi në afat të shkurtër. Megjithatë, ai nënvizon se për sa kohë që palët tregojnë gatishmëri për të bashkëpunuar drejt paqes, inciativa e Turqisë ka potencial të japë një kontribut pozitiv në këtë kontekst.


Sa i përket objektivave strategjike të Turqisë, ekspertët argumentojnë se ato, në dukje, nuk bien ndesh me synimin e BE-së për të nxitur bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Bassuener, megjithatë, argumenton se BE-ja e cilëson veten si aktorin parësor në rajon, andaj ndërhyrjet e Ankarasë mund shihen me dyshim në Bruksel, edhe për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes BE-së dhe Turqisë.


“Në pamje të parë, promovimi i zgjidhjeve rajonale nga Turqia nuk bjen ndesh me dëshirën e BE-së për bashkëpunim më të madh rajonal. Por BE-ja e sheh veten si aktor që ka dhe meriton përparësi në Ballkan. E raporti midis BE-së dhe Turqisë është gjithashtu larg të qenit i qetë, kështu që sigurisht që ka një deficit besimi në këtë mes”.

Lini një Përgjigje