
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se integrimet euro-atlantike janë synimet e vetme për Kosovën.
“Kosova është Evropë, të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian”, ka thënë Osmani në një seancë plenare para Parlamentit Evropian.
Ajo ka thënë se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor.
“Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”.
Duke folur për të drejtat që ofron Kosova për secilin qytetar, Osmani u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë që të shfrytëzojnë të drejtat që i parasheh Kushtetuta e këtij vendi .
“Republika e Kosovës është shtëpia juaj dhe do të bëjmë gjithçka që të ju të jeni të përfshirë dhe të dëgjoheni”.
Duke e përmendur një delegacion të Preshevës, që ka qenë i pranishëm në seancë, presidentja Osmani ka thënë se Kosova “është me ju, ju nuk jeni vetëm, teksa përballeni me shkelje të të drejtave të njeriut”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në Parlamentin Evropian.
Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për ta mbështetur Ukrainën. Ajo ka rikujtuar se Kosova ka qenë një prej vendeve të para në rajon që i ka vendosur sanksione Rusisë, për luftën e nisur kundër Ukrainës.
Presidentja Osmani ka përmendur se Kosova i ka trajnuar ukrainasit për të punuar në çminimin e territoreve, më pas për ofrimin e mbështetjes ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, si dhe për mbështetjen e ofruar për gazetarët ukrainas.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë”, është shprehur ndër tjerash Osmani.
Osmani ka thënë se mënyra më e mirë për t’i tejkaluar sfidat është përmes partneritetit, dhe se mosanëtarësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE, e rrezikon edhe vetë bllokun nga ndikimet e dëmshme.
“Kosova nuk është larg, është pjesë integrale e Evropës [në aspektin territorial]”, ka theksuar ajo.
Përgjatë fjalimit të saj, presidentja Osmani nuk i ka komentuar tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Mirëpo, në fillim të seancës, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka thënë se BE-ja është e vetëdijshme për ndikimin që mund të kenë tensionet e fundit në veri të Kosovës në rajon, prandaj e ka përmendur nevojën urgjente për ulje të tensioneve.
Ajo, po ashtu, ka thënë se Kosova vetëm përfiton nga BE-ja, kur ndërmerr masa për ulje të tensioneve.
Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian janë në një fazë të vështirë.
Lini një Përgjigje