Zjarri shpërtheu rreth orës 20:30 të mbrëmjes së së shtunës në një zonë agro-pyjore në Oreokastro, duke krijuar një situatë jashtëzakonisht kritike. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe gjatë gjithë natës forca të shumta zjarrfikëse po luftojnë për të penguar përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.
Sipas autoriteteve, zjarri po zhvillohet në dy fronte kryesore, si edhe në disa vatra të shpërndara, duke kërcënuar banesa, biznese dhe objekte industriale.
Në rajon ndodhen magazina, punishte dhe fabrika, disa prej të cilave ruajnë materiale që marrin flakë shumë shpejt. Gjatë natës janë dëgjuar edhe shpërthime, ndërsa një fabrikë, së bashku me magazinat e saj, u përfshi plotësisht nga flakët. Raportohet gjithashtu se edhe ndërtesa të tjera në zonë kanë pësuar dëmtime të pjesshme.
Zjarri u favorizua nga erërat veriore me forcë deri në 6 ballë, të cilat ndryshonin vazhdimisht drejtimin, duke krijuar vështirësi serioze për ekipet e zjarrfikësve, ndërsa retë e tymit janë përhapur mbi Selanik.
Zjarrfikësit kanë deklaruar se bëhet fjalë për një zjarr shumë të rrezikshëm, pasi ka shpërthyer shumë pranë zonës urbane të Selanikut. E shtuna ishte një ditë me rrezik shumë të lartë për zjarre në shumë zona të vendit, ku janë regjistruar mbi 60 vatra.
Në operacionin, i cili është ende në zhvillim pasi zjarri mbetet i pakontrolluar, ndodhen në terren mbi 120 zjarrfikës, 5 grupe këmbësore speciale, 38 automjete zjarrfikëse, autobote dhe makineri të Rajonit të Maqedonisë Qendrore, si dhe vullnetarë të shumtë. Deri në perëndimin e diellit në operacion mori pjesë edhe një avion zjarrfikës, por me rënien e natës mjetet ajrore u tërhoqën.
Në orën 20:52, autoritetet dërguan një mesazh emergjent përmes numrit 112, duke u kërkuar banorëve të Anthoupolit të largohen menjëherë. Një nga momentet më kritike të natës ishte vendimi për evakuimin e 157 personave që ndodheshin brenda Institucionit të Sëmundjeve Kronike “Shën Panteleimoni”, në Derveni, pranë autostradës Egnatia, përballë fabrikës “Titan”.
Më vonë, zjarri po lëvizte drejt jugut, në drejtim të lagjes tjetër të madhe në perëndim të Selanikut, Evkarpia. Edhe kryetari i bashkisë fqinje Pavlou Melas, Dimitris Aslanidis, e përshkroi situatën si dramatike.
Në zonë mbërriti menjëherë edhe Njësia Hetimore për Krimet e Zjarrvënies. Si pjesë e hetimeve është shoqëruar një 76-vjeçar grek.
Top Channel
Lini një Përgjigje