Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të “Vitas”, duke e cilësuar këtë vendim si një goditje serioze për prodhimin vendor, fermerët dhe ekonominë e Kosovës.
Limaj tha se “Vita” nuk është vetëm një kompani, por një nga shembujt më të suksesshëm të prodhimit vendor që ka mbështetur fermerët dhe ka kontribuar në punësim për më shumë se dy dekada.
“Kur mbyllet një prodhues i këtij niveli, nuk humbet vetëm një biznes. Goditen fermerët, humbin vendet e punës, dobësohet ekonomia dhe i hapet rruga produkteve të importit”, ka shkruar Limaj.
Ai kritikoi qeverinë për qasjen ndaj sektorit privat, duke thënë se bizneset po trajtohen si kundërshtarë dhe jo si partnerë të zhvillimit ekonomik.
Sipas tij, inspektoratet duhet të zbatojnë ligjin pa u përdorur për të dëmtuar prodhuesit që, siç tha ai, investojnë dhe mbajnë mijëra familje në punë.
“Në vend që ta ndihmojë prodhuesin vendor, qeveria e ka vënë atë nën presion të vazhdueshëm. Bizneset nuk kanë nevojë për frikë, as për presione e ndëshkime të panevojshme”, deklaroi Limaj.
Ai shtoi se një qeveri që synon zhvillim ekonomik duhet të krijojë kushte për rritjen e prodhimit vendor dhe jo për mbylljen e fabrikave.
Në fund të reagimit, Limaj theksoi se Kosova forcohet vetëm përmes mbështetjes së prodhuesve vendorë, fermerëve dhe investitorëve që operojnë në vend.
Lini një Përgjigje