Qeveria gjermane ka prezantuar një paketë të gjerë reformash ekonomike, e cila pritet të zbatohet plotësisht deri në vitin 2028. Paketa përfshin ndryshime në sistemin e taksave, tregun e punës, pensionet dhe administratën publike, me synimin për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ulur burokracinë.
Kancelari Friedrich Merz deklaroi se objektivi kryesor i reformave është ulja e barrës fiskale dhe thjeshtimi i procedurave administrative. Sipas tij, përfituesit më të mëdhenj do të jenë familjet me dy fëmijë, të cilat pritet të kursejnë mbi 600 euro në vit falë lehtësimeve tatimore.
Sipas qeverisë, këto lehtësime do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 10 miliardë euro më pak të ardhura nga tatimet. Për të kompensuar këtë mungesë, është parashikuar rritja e taksave për shtresat me të ardhura më të larta, deri në 47 për qind.
Reformat prekin edhe tregun e punës. Kontratat e përkohshme do të mund të zgjasin deri në gjashtë vjet, ndërsa ministrja e Punës, Bärbel Bas, bëri të ditur se punonjësit do të duhet të paraqesin vërtetim mjekësor që nga dita e parë e mungesës në punë, duke i dhënë fund praktikës së marrjes së lejes mjekësore vetëm përmes një telefonate.
Paketa parashikon gjithashtu rritjen e moshës së pensionit në 67 vjeç, si dhe masa për reduktimin e burokracisë shtetërore.
Qeveria gjermane synon që përmes këtyre reformave të forcojë ekonominë e vendit dhe, njëkohësisht, të frenojë rritjen e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë, AfD.
Lini një Përgjigje