Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së avokatit Dorian Matlija, i cili u distancua nga segmentet që, sipas tij, po e marrin peng dhe po e dëmtojnë protestën, ndërsa theksoi se mbetet pjesë e saj si protestë qytetare.
Në një postim në Facebook, Rama e cilësoi reagimin e Matlisë si “hap konstruktiv në drejtimin e duhur”, por shtoi se kushdo që ka arritur në këtë pikë duhet të kuptojë dy gjëra.
Sipas Ramës, qeveria që kundërshtarët e cilësojnë si “pushtet kriminal” është në negociata me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka, siç tha ai, “mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit” për t’i mbyllur negociatat pa humbur kohë.
Kryeministri shtoi se sot nuk ka “asnjë moment tjetër historik” përveç rrugës së hapur të Bashkimit Europian për Shqipërinë, e cila, sipas tij, nuk duhet lejuar të mbyllet.
Rama tha se temat e natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, antikorrupsionit apo arrogancës së pushtetit mund të trajtohen seriozisht vetëm përmes “dialogut demokratik me Qeverinë Shqiptare”.
Reagimi i Kryeministrit Rama:
Hap konstruktiv në drejtimin e duhur, po dy gjëra duhet t’i kuptojë kushdo ka arritur në këtë kthesë, paçka se me pak vonesë:
1. Ky “pushteti kriminal” është në negociata me Bashkimin Europian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit, pikërisht që të mbyllë negociatat pa humbur asnjë ditë kohë e pa u çfokusuar në asnjë moment nga ky mision kombëtar
2. Sot nuk ka asnjë moment tjetër historik për të pasur parasysh, përveç rrugës së hapur të Bashkimit Europian për Shqipërinë, e cila nuk duhet lënë kurrësesi të mbyllet, ndërsa temat e “natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit” ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet:
Dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare
Lini një Përgjigje