Komediani turk Deniz Göktaş arrestohet pas shakave ndaj Erdoganit dhe Islamit, akuzat: Nxitje të urrejtjes e armiqësisë

3 Korrik 2026, 19:30Rajoni TEMA

Komediani turk Deniz Göktaş arrestohet pas shakave ndaj Erdoganit dhe

Komediani i njohur turk Deniz Göktaş është arrestuar nga një gjykatë në Stamboll, pasi autoritetet e akuzojnë për “nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë” si dhe për fyerje të presidentit Recep Tayyip Erdogan gjatë një shfaqjeje stand-up të publikuar në YouTube.

Göktaş u ndalua në aeroportin kryesor të Stambollit teksa kthehej nga pushimet. Më pas, gjykata vendosi masën e paraburgimit pas marrjes në pyetje nga prokurorët, lidhur me pjesë të performancës së tij ku përmendeshin presidenti Erdogan dhe Kurani. Videoja e shfaqjes është publikuar më 24 qershor në YouTube dhe ka grumbulluar rreth 9.4 milionë shikime.

Sipas Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit, autoritetet kanë marrë 185 ankesa për përmbajtjen e videos. Ndërkohë, Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë kritikoi publikisht shfaqjen në predikimin javor të së premtes, duke deklaruar se tallja me vlerat fetare nën petkun e humorit dëmton edukimin dhe vlerat e brezit të ri.

Në dëshminë e tij para prokurorëve, Göktaş mohoi të ketë pasur qëllim të ofendonte besimtarët ose presidentin. Ai deklaroi se e njëjta shfaqje është interpretuar për gati tre vjet në qytete të ndryshme të Turqisë dhe se përdorimi i termit “diktator” ishte pjesë e një debati publik të njohur në vend.

Arrestimi i komedianit ka nxitur reagime të menjëhershme nga mbështetësit e tij, të cilët u mblodhën jashtë gjykatës në Stamboll për të protestuar kundër vendimit. Pamjet e Göktaş me duar të prangosura pas shpine u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Rasti i tij vjen në një periudhë kur autoritetet turke kanë intensifikuar masat ndaj kritikëve të qeverisë. Gjatë javëve të fundit janë arrestuar gazetarë, avokatë, akademikë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të komunitetit LGBT+, ndërsa qasja në disa llogari të mediave sociale është bllokuar.

Top Channel

Lini një Përgjigje