
Nga Vitjon Nina, Albanian Post
Një dokument anonim po ndryshon fokusin e "Revolucionit të Flamingove": nga kërkesa për rrëzimin e qeverisë te beteja për territorin, pronën dhe ligjet.
Një dokument i shpërndarë dorë më dorë gjatë protestave të etiketuara si “Revolucioni i Flamingove” po tërheq vëmendjen si një përpjekje për t’i dhënë një drejtim tjetër lëvizjes protestuese, duke e zhvendosur debatin nga kërkesat politike të menjëhershme, drejt një platforme që fokusohet te territori, prona dhe menaxhimi i pasurive publike.
I titulluar “Deklarata Kombëtare për Mbrojtjen e Territorit dhe Pronës”, dokumenti qarkullon pa autorësi të identifikuar. I vetmi shpjegim që e shoqëron është se është “hartuar nga një grup juristësh”. Nuk ka logo organizative, firma apo përgjegjësi publike mbi përmbajtjen e tij.
Megjithatë, përmbajtja e manifestit e veçon qartë nga dokumentet e deritanishme që kanë shoqëruar protestën.
Ndryshe nga letra e publikuar pak ditë më parë nga Grupi Koordinues i protestave, e cila përmbante pesë kërkesa dhe vendoste në qendër dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe Qeverisë, ky manifest nuk formulon asnjë kërkesë për largimin e ekzekutivit.
Përkundrazi, ai argumenton se përqendrimi vetëm te ndryshimi i emrave në pushtet është një kurth politik, nëse mbetet i paprekur sistemi ligjor që, sipas autorëve, ka mundësuar tjetërsimin e territorit dhe të pronës publike.
“Kauza është toka, jo emri”, thuhet në një nga pjesët qendrore të dokumentit.
Manifesti ndërton tezën se Shqipëria nuk ndodhet përballë një krize të zakonshme politike, por përballë një procesi të pakthyeshëm të humbjes së kontrollit mbi asetet strategjike të vendit.
Në këtë logjikë, territori paraqitet si çështje e sigurisë kombëtare. Dokumenti rendit bregdetin, portet, ishujt, tokën bujqësore dhe burimet ujore si elemente që, sipas autorëve, nuk mund të trajtohen vetëm si pasuri ekonomike, por si pjesë e sovranitetit të shtetit.
Një pjesë e madhe e manifestit i kushtohet analizës së kuadrit ligjor të viteve të fundit.
Autorët kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, ligjit për Zonat e Mbrojtura, të ashtuquajturës “Paketa e Maleve” dhe projektligjit për tokat bujqësore, duke argumentuar se këto akte kanë krijuar bazën ligjore për transferimin e pronave publike drejt interesave private.
Kjo është një pikë që përputhet edhe me kërkesat e Grupit Koordinues.
Në dokument ngrihen gjithashtu pretendime për bllokimin e mijëra dosjeve të pronësisë, ndërsa kërkohet mbyllja përfundimtare e procesit të pronave, krijimi i një regjistri publik digjital të territorit, publikimi i të gjitha kontratave të investimeve strategjike, auditimi i vendimeve të institucioneve përgjegjëse për territorin, si dhe decentralizimi i vendimmarrjes.
Një kapitull i veçantë i kushtohet edhe medias, ku autorët argumentojnë se konfliktet e interesit në pronësinë mediatike kanë ndikuar në mungesën e debatit publik mbi zhvillimet territoriale. Për këtë arsye kërkohet transparencë mbi interesat ekonomike të pronarëve të mediave dhe lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit, turizmit apo statuset e investitorëve strategjikë.
Dokumenti nuk është shoqëruar me një prezantim publik dhe deri tani nuk është marrë zyrtarisht në autorësi nga asnjë grupim.
Albanian Post kontaktoi Grupin Koordinues të protestave për të pyetur nëse ka lidhje me hartimin ose shpërndarjen e këtij manifesti, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë një përgjigje.
Shfaqja e këtij dokumenti vjen në një moment kur protestat kanë hyrë në një fazë më të tensionuar. Ditët e fundit janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë, ndërsa retorika politike është ashpërsuar.
Në këtë kontekst, manifesti duket se përfaqëson një përpjekje për ta orientuar protestën drejt një platforme më të strukturuar, ku theksi nuk vihet te ndryshimi i Qeverisë si objektiv në vetvete, por te ndryshimi i arkitekturës ligjore dhe institucionale që, sipas autorëve, ka bërë të mundur mënyrën aktuale të administrimit të territorit.
Mbetet për t’u parë nëse kjo platformë do të mbetet një dokument anonim që qarkullon mes protestuesve, apo do të shndërrohet në boshtin politik të fazës së ardhshme të “Revolucionit të Flamingove”.
Lini një Përgjigje