VIDEO/ Të rrethuar nga stresi,” Kardiologu Caushaj: Në Shqipëri, çdo ditë është sulm mbi zemrën

25 Gusht 2025, 16:37Shëndeti TEMA
VIDEO/ Të rrethuar nga stresi,” Kardiologu Caushaj: Në

Kur flasim për stresin, mendja na shkon përgjithësisht tek provimet, afatet që duhen arritur në punë, apo mjedise pune ku trysnia është e lartë. Por, stresi nuk është kudo i njëjtë. Në shumë vende perëndimore, politikat sociale absorbojnë një pjesë të presionit, duke nisur nga një transport publik efikas, tek një sistem shëndetësor i mirëorganizuar dhe lehtësisht i aksesushem, tek shkolla funksionale dhe ekzistenca e një rrjete sigurie, e cila mban një pjesë të peshës kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet.

Në Shqipëri, nga ana tjetër, situata parqitet ndryshe.

Mjeku kardiolog, Dr. Novruz Caushaj, shprehet në episodin e 32-të të Apostrof Podcast, se stresi tek ne nuk është një episode kalimtar, por diçka konstante, e ndërthurur me jetën tonë të përditshme. “Ngado që personi kthehet, është i rrethuar nga shigjeta ‘stres’,” thotë Dr. Caushaj.

Pra, nuk është fjala për një trysni që mund ta largosh me një fundjavë pushim. Është fjala për stresin e pritjes në radhë në institucione publike, përballjen me trafikun kaotik, çmime që rriten me ritme shumë herë më të larta se pagat dhe një sistem shëndetësor, që sa vjen dhe e ka më të vështirë të ngjallë besim tek njerëzit. Është fjala për një stress që nuk është kalimtar dhe që gradualisht konsumon trupat dhe mendjet e njerëzve.

Dr. Caushaj thekson se kërkimet në fushën e mjekësisë dhe kardiologjisë e përfshijnë tashmë stresin kronik si faktor madhor në shkaktimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Ai ndikon në shtimin e rrahjeve të zemrës, ngushtimin e enëve të gjakut, tensionin e lartë, si edhe nxit inflamacionin. Me kalimin e kohës, zemra e ka gjithnjë e më të vështirë të relaksohet, duke u bërë kështu më e prirur për t’u dëmtuar.

Megjithatë, ajo çfarë e bën vëzhgimin e Dr. Caushajt të jetë më tepër se sa një paralajmërim mjekësor, është theksi tek politika. Stresi në Shqipëri nuk lidhet vetëm me forcën e individit për t’i bërë ballë, por me mungesën e një sërë strukturash sociale, që do të duhej ta lehtësonin sadopak atë. Në shtete me mirëqenie sociale me të lartë, një pjesë e pasigurive të jetës absorbohen nga shteti, ndërsa tek ne, stresi mbetet ‘i privatizuar,” diçka që çdo individ dhe familje duhet ta mbajë në shpatullat e veta pa asnjë lloj ndihme.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/nyAzUfONGTs

 

Lini një Përgjigje