Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hartuar një projektrregullore të re që përcakton mënyrën e re të zbatimit të portabilitetit të numrave telefonikë.
Rregullorja e re vjen si pasojë e ndryshimeve të parashikuara në ligjin e ri “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, si dhe për të adresuar problematikat e evidentuara nga abonentët dhe vetë autoriteti.
Sipas AKEP, portabiliteti i numrave celularë shënoi rënie historike gjatë vitit 2024, me vetëm 19,500 numra të portuar, një ulje prej 50% krahasuar me vitin 2023. Njëkohësisht, shkalla e refuzimit të kërkesave për portim mbetet ende e lartë, rreth 50% për vitin 2024, ndonëse është përmirësuar krahasuar me 70% vitin e kaluar.
Problematikat më të shpeshta që lidhen me refuzimin e kërkesave për portim janë mospërputhjet në të dhënat identifikuese të përdoruesve me parapagim dhe detyrimet kontraktore të pajtimtarëve me paspagim. Megjithatë, AKEP konstaton se numri i ankesave ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2023.
Procesi i portabilitetit të numrit nisi në Shqipëri në vitin 2011 për numrat celularë dhe në vitin 2012 për numrat fiks. Deri në fund të vitit 2024 janë portuar gjithsej rreth 1.3 milionë numra celularë dhe afro 20 mijë numra fiks.
Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” parashikon masa ndëshkuese për operatorët që nuk zbatojnë detyrimet për portabilitetin e numrave, përfshirë gjoba deri në 2% të të ardhurave vjetore, por jo më shumë se 50 milionë lekë.
Përmes rregullores së re, AKEP kërkon që të gjithë operatorët të përshtatin dhe përmirësojnë rrjetet dhe sistemet e tyre për të përballuar rritjen e kërkesave për portim. Po ashtu, përcaktohet e drejta e përdoruesve me parapagim për të marrë rimbursim për kreditet e papërdorura në momentin e portimit të numrit.
Risia kryesore në rregullore është përfshirja e mekanizmave të rinj si: statusi “pezull” në bazën qendrore të të dhënave (CRDB), pranimi me kusht i kërkesave për portim dhe procesimi i automatizuar i kërkesave për numrat e çaktivizuar.
AKEP ka parashikuar një periudhë tranzitore prej 6 muajsh për implementimin e këtyre ndryshimeve.
Gazetari qe ka bere kete mish - mash ketu , gjasme na sqaron , eshte i pa afte si gazetar . Nga fillimi deri ne fund eshte perdorur fjala " portim , portabilitet" , qe eshte nje fjale e huaj , se ciles i jepet kuptimi , sipas tekstit ku perdoret . Gazetari as e ka idene se per ke po shkruan dhe a e kuptojne lexuesit !