Shqipëria mund të jetë tashmë në një fazë të kolapsit ekologjik dhe të tensioneve sociale që lidhen me shfrytëzimin e burimeve natyrore. Ky është paralajmërimi që jep aktivistja mjedisore Denisa Kasa në një fragment nga episodi i fundit i podcastit Apostrof.
Sipas saj, shenjat e këtij degradimi janë të dukshme në shumë pjesë të vendit. Në zonat malore, ndërtimi i rrugëve dhe ndërhyrjet në terren kanë shkaktuar erozion të dukshëm dhe shkatërrim të habitateve natyrore. Në të njëjtën kohë, lumenjtë janë fragmentuar nga digat dhe hidrocentralet, duke ndërprerë rrjedhën natyrore të ujit dhe duke ndikuar në ekosistemet që varen prej tij.
Ndryshime të mëdha vërehen edhe në vijën bregdetare. Kasa thekson se në shumë zona të bregdetit shqiptar, hapësirat e gjelbra që dikur shërbenin si barriera natyrore janë zëvendësuar nga ndërtime të shumta. Si shembull ajo përmend qytetin e Durrësit, ku sipas saj ky model zhvillimi është bërë tashmë dominant dhe po përhapet gjithnjë e më shumë edhe në zona të tjera bregdetare.
Një tjetër problem lidhet me ndërprerjen e ciklit natyror të sedimenteve që lumenjtë transportojnë nga zonat malore drejt detit. Këto sedimente janë thelbësore për formimin e plazheve dhe për ekosistemet e lagunave. Megjithatë, një pjesë e tyre bllokohen nga digat, ndërsa një pjesë tjetër arrin në bregdet e ndotur nga aktivitetet njerëzore përgjatë rrjedhës së lumenjve.
Sipas Kasës, këto zhvillime tregojnë se presioni i ndërtimit dhe ndërhyrjeve në natyrë po transformon gradualisht peizazhin shqiptar, duke krijuar rreziqe të reja si për mjedisin ashtu edhe për komunitetet që varen nga këto ekosisteme.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Bota po shkon drejt "falimentimit të ujit!" Ç’ndodh me Shqipërinë ? | Denisa Kasa | Apostrof #60