Neve sot na kërkohet të testohemi dhe certifikohemi për shumëçka. Për të drejtuar një makinë, na kërkohet patentë. Për të ushtruar një profesion, na duhet diplomë, trajnime, licenca. Por për të sjellë një fëmijë në jetë dhe për ta rritur atë — për të ndikuar në mënyrë të pakthyeshme tek një tjetër qenie njerëzore — nuk kërkohet asnjë provë aftësie. As dije, as përgatitje, as përgjegjësi formale.
A është kjo një formë lirie, apo ndoshta një formë neglizhence kolektive?
Çfarë ndodh kur prindërimi trajtohet si një “e drejtë natyrore” dhe jo si një detyrë që kërkon përgatitje, vetëdije dhe reflektim të vazhdueshëm? Pse kultura është kaq e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve në jetën private, por e verbër ndaj pasojave që ajo jetë private ka në formimin e brezave të rinj?
A është e drejta për t’u bërë prind më e shenjtë se përgjegjësia për të qenë një prind i denjë?
Në vend që të diskutojmë për “të drejtën për të pasur fëmijë”, a mos ndoshta duhet të fillojmë të flasim për aftësinë për të qenë prind? Të pyesim: a di ky njeri si të ushqejë emocionalisht një fëmijë? A ka kushte që nuk janë vetëm ekonomike, por edhe psikologjike, morale, komunikative?
Institucionet ndërhyjnë kur situata përshkallëzohet në pika kulmore. Kur një fëmijë dhunohet, apo kur në një moshë më të vonë, fillon të shfaqë sjellje agresive dhe të dhunshme. Por pse nuk ndërhyjmë më herët? Pse nuk e shohim prindërimin si një proces që duhet mbështetur, orientuar, dhe ndoshta edhe selektuar në raste ekstreme?
Në një botë ku kërkojmë certifikata për çdo gjë, përse nuk kemi asnjë kriter për njënga gjërat më të rëndësishme dhe më me ndikim jo vetëm tek fëmija, por edhe tek shoqëria pjese të cilës do të bëhet? Po nëse të bëhesh prind… nuk është për të gjithë?
Lini një Përgjigje