Aksioni i IKMT-së dhe Policisë së Shtetit për largimin e makinave të përdorura që janë vendosur në anë të rrugës nga bizneset, u zhvendos në Lezhë.
Këtë aksion e ndoqi nga afër edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se nuk do të ketë më varrezë makinash në anë të rrugës, pasi duhet të respektohet distanca.
Në komunimimin e tij me përfaqësues të IMT Lezhë dhe punonjës të Policisë së Shtetit, Balla tha se lënia e tyre në rrugë ndikonte edhe në aksidentet rrugore.
Nga ana tjetër, kreu i IKMT, Ervin Hoxha shtoi se gjatë fazës së parë të heqjes së makinave dhe mbetjeve të tyre, subjektet kanë qenë bashkëpunues.
Deri më tani janë bërë 25 lirime vullnetare në Lezhë. Gjatë fazës së parë të këtij procesi është kërkuar heqja vullnetare nga zotëruesit e këtyre vend-grumbullimeve, në rast të kundërt janë parashikuar ndëshkime.
Lini një Përgjigje