Borxhet e energjisë, skemë e re për t’i shlyer me këste! Deri në 100% ulje e kamatës për pagesë të menjëhershme të debive të akumuluara! Ja kategoritë përfituese

24 Korrik 2025, 11:19Sociale TEMA
Borxhet e energjisë, skemë e re për t’i shlyer me

Një mundësi e re është vënë në dispozicion të qytetarëve nga OSHEE, për të shlyer me lehtësi detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group) ka miratuar së fundmi një skemë të re për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, që synon jo vetëm të lehtësojë barrën financiare të qytetarëve, por edhe të rrisë ndërgjegjësimin për pagesat e rregullta.

Nisma e re, që ka hyrë në fuqi këtë muaj, ofron mundësinë e pagesës së debive të akumuluara deri më 31 dhjetor 2023 përmes kësteve mujore të përcaktuara sipas kategorisë së klientit dhe mundësisë financiare të secilit. Me një këst minimal që fillon nga 1200 lekë për familjet në nevojë dhe pensionistët, kjo skemë është ndërtuar mbi një frymë sociale dhe gjithëpërfshirëse.

Përfitues nga kjo skemë janë të gjitha kategoritë e klientëve – familjarë dhe jo familjarë, duke përfshirë edhe bizneset e vogla dhe individët me status të veçantë. Për më tepër, për klientët vulnerabël, si pensionistët apo familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, OSHEE ka përcaktuar kritere më të lehta shlyerjeje. Plani standard lejon shlyerjen e borxhit deri në 240 këste mujore – një afat që praktikisht u jep konsumatorëve që iu duhet shumë kohë për të mbyllur llogaritë pa u rënduar ndjeshëm çdo muaj. Për qytetarët që kanë mundësi të përballojnë një shlyerje të menjëhershme të borxhit total, OSHEE ka parashikuar një tjetër lehtësi të rëndësishme: ulje të ndjeshme të kamatës, që në disa raste mund të shkojë deri në 100%.

Përfitimi i kësaj zbritjeje varet nga kategoria ku bën pjesë klienti, por qëllimi mbetet i qartë – inkurajimi i pagesës së borxheve pa penalitete shtesë. Por çfarë ndodh me borxhet e krijuara në 2024 dhe 2025? Është vendosur një kufi i qartë kohor për borxhet që përfshihen në këtë marrëveshje. Sipas zyrtarëve të OSHEE-së, vetëm detyrimet e krijuara deri në fund të vitit 2023 mund të shlyhen përmes kësaj skeme. Ata klientë që kanë borxhe të krijuara gjatë vitit 2024 apo edhe në 2025, duhet t’i shlyejnë ato paraprakisht për të qenë të pranueshëm në programin e ri të pagesës me këste.

“Që një klient të përfitojë nga aktmarrëveshja për borxhin e kaluar, duhet që fillimisht të ketë zero borxh për vitin aktual dhe vitin pararendës. Vetëm atëherë mund të hyjë në skemë,” sqaron OSHEE.

Procesi i aplikimit është i thjeshtë dhe i strukturuar në mënyrë që të shmangë burokracitë. Abonentët familjarë duhet të paraqesin vetëm kartën e identitetit. Ndërsa bizneset e vogla duhet të dorëzojnë NIPT-in, ekstraktin e regjistrimit të subjektit dhe vërtetimin e përgjegjësisë tatimore nga organet përkatëse. Për individët që janë pjesë e skemave të ndihmës ekonomike apo që kanë status të mbrojtur (si invalidë, veteranë apo familje me ndihmë sociale), kërkohet dokumentacioni përkatës që vërteton përfshirjen e tyre në këto kategori.

Me këtë nismë, OSHEE dëshmon se është e vetëdijshme për sfidat që përjetojnë konsumatorët, veçanërisht ata që janë goditur nga krizat ekonomike, papunësia apo rritja e çmimeve të jetesës. Nga ana tjetër, kompania ka nevojë për arkëtime të rregullta për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare të sektorit energjetik dhe për të vazhduar investimet në rrjetin e shpërndarjes.

“Ky është një model bashkëpunimi që synon të jetë i ndershëm dhe i dobishëm për të dy palët – si për operatorin, ashtu edhe për qytetarët”, – thekson OSHEE.

Skema është një apel i qartë për të gjithë qytetarët debitorë që të marrin përgjegjësinë e shlyerjes së detyrimeve, por në një mënyrë të arsyeshme dhe të menaxhueshme. Duke përfituar nga kjo mundësi, qytetarët jo vetëm që shmangin rreziqet e bllokimeve apo ndërprerjeve të energjisë, por edhe krijojnë një raport më të besueshëm me shërbimin publik.

Lini një Përgjigje