Plazhi i Durrësit njihet për rërën kurative dhe ujërat e cekët, por në veri të qytetit, bregdeti i Kallmit ofron një peizazh piktoresk dhe një mundësi për të eksploruar florën e pasur nënujore.
Nga Gëzim Kabashi
Bregdeti i Durrësit njihet më së shumti për brezin e gjerë të rërës kurative dhe ujërat e cekët. Por në një segment prej disa kilometrash, i cili nis përballë qytetit dhe i drejtohet pjesës veriore drejt Kepit të Palit, natyra ka shënuar një kapriço që kombinon rërën me shkëmbinjtë dhe peizazhi detar merr një pamje krejt tjetër.
Plazhi i Kallmit u jep mundësinë pushuesve që të zhyten dhe të eksplorojnë florën e pasur nënujore.
Sabri Mullaliu i ka kaluar të 80-at dhe bashkë me pasionin e vjetër për notin, ka zbuluar në këtë bregdet kënaqësinë e shëtitjeve të gjata ujore. Ndonëse jeton në Australi, Mullaliu vjen çdo vit në Durrës për të shijuar bregdetin e tij.
“Dhjetë vjet më parë, një shok i hershëm notar dhe gjimnast, më foli për notimin si një opsion për të njohur brigjet e panjohura të qytetit tonë,” kujton Sabriu.
“Mjafton një maskë me tubin përkatës dhe nuk duhet asgjë tjetër,” shton ai.
Plazhi i Kallmit në veri të Durrësit u hap për publikun në fillim të viteve '90, pasi gjatë regjimit komunist ishte i bllokuar nga repartet ushtarake. Bregdeti në këtë territor është i përbërë prej gurësh dhe pllakash dhe u eksplorua fillimisht nga zhytësit amatorë.
Në vitin 1997, bregdeti u dëmtua nga keqbërësit që peshkonin me dinamit dhe u desh një kohë e gjatë që situata të kthehej në normalitet. Kjo periudhë shkaktoi pasoja edhe për objektet arkeologjike të konservuara nën ujë.
Rikthimi i tokave në pronësinë e familjeve pronare në kodrat e Kallmit dhe bashkëpunimi me organet e rendit rivendosi edhe rregullat për kujdesin ndaj kësaj pjese të bregdetit, që tashmë njihet si “Riviera e Durrësit”.
Tom Fishta, një tjetër sportist dhe frekuentues i këtij plazhi, realizon në ditë distancën ujore prej 2.5 deri në 3 kilometra.
“Shumë kënaqësi ndjej kur shoh tufa peshqish, të cilët lëvizin para syve tanë të pashqetësuar, ashtu siç i gëzohem fushave të gjelbërta me poseidonia nën ujë,” tha Fishta, i cili kërkon të mësojë gjithçka rreth “brigjeve të panjohura” të qytetit të tij.
“Kemi folur me shumë notarë të rinj, për “zbulimin tonë nënujor” në thellësi prej 2-4 metra dhe tashmë me grupe, apo individualisht ka nga ata që po e ndjekin shembullin tonë”.
Sipas Tomit, vizita ujore vijon deri në Bishtin e Pallës apo Kepin e Palit, si i thonë në harta. “E vetmja ndërprerje bëhet pranë portit të karburanteve dhe atij tregtar që po ndërtohet,” shton ai.
Në majën e Kepit të Palit, komanda e Forcave Detare parashikon krijimin e një parku nënujor për të pasionuarit e zhytjeve. Sipas ish-komandatit të Forcës Detare, Artur Meçollari, plani parashikonte projektin e vizitave nënujore turistike të zhytësve në thellësi 14 metra, duke krijuar edhe sinjalistikën për sigurinë lundrimore në Bishtin e Pallës.
“Njëlloj si në zonën pranë Sarandës, ne kishim parashikuar mbytjen e dy anijeve ushtarake jashtë funksionit, dragamina dhe gjuajtësi i vogël,” thotë Meçollari, sipas së cilit anijet do të mbeteshin përfundimisht në thellësinë prej 18 – 22 metra.
Por “gjuajtësi i vogël” u mbyt në portin e Shëngjinit, duke bllokuar edhe lundrimin drejt Bisht Pallës për anijen dragaminë.
Meçollari e sheh mjaft interesante idenë e shëtitjeve në bregdetin e Kallmit, që nuk përbën rreziqe nga lëvizja e anijeve dhe barkave për njerëzit e pasionuar.
“Kjo mund të bëhet edhe në Kepin e Rodonit, në veri të gjirit të Lalzit, ku karakteristikat e bregdetit janë të ngjashme,” shtoi ai, duke theksuar marrjen e masave në lëvizjen e mjeteve me motor.
Në plazhin e Currilave, aty ku numri i pushuesve po rritet dukshëm për shkak të vapës, Kiço Koçi nuk i ndahet asnjë ditë detit.
58-vjeçari durrsak herë pas herë përdor pushkën e detit dhe disa dhjetra metra larg bregut, nxjerr mbi ujë peshq të freskët për tavolinën e miqve.
“Por kënaqësia që të jep peisazhi nënujor nuk krahasohet me asgjë tjetër,” thotë Kiço Koçi.
“Do ta shëtis edhe unë bregun e Kallmit me qetësi, jo siç kam bërë deri tani me merakun e gjuetisë,” shtoi ai.
Sabri Mullaliu këshillon që përveç maskës dhe tubit të frymëmarrjes, zhytësit amatorë të përdorin edhe lopatat e gomës për ta bërë notimin më të shpejtë dhe cilësor.
“Kjo është një ftesë e hapur edhe për turistët vendas dhe të huaj të të gjjitha moshave, që mund të njohin kështu një peizazh tjetër të Durrësit,” përfundoi ai.
ouuuu...qekur qenka bere me det DR??!! Un e dija per Vloren dhe per Tiranen qe kishin det... Po edhe qeveria sdi gje se ta dinte kishte hudh nonji gjys leku aty...posi jo