Ekspertët: Shfrytëzimi i fëmijëve në punë, fenomeni duhet parandaluar

28 Dhjetor 2025, 07:40Sociale TEMA
Ekspertët: Shfrytëzimi i fëmijëve në punë,

“Në Tiranë, fëmijë që punojnë i sheh në rrugët kryesore e lokale. Të vegjlit shesin lule për të fituar para në çdo orë të ditës e në mbrëmje deri vonë”.

Tavolinë më tavolinë, një dorë që zgjatet me një trëndafil të kuq. Është kjo panorama e asaj që ndodh çdo natë. Fëmijët, kryesisht të moshës 5-13 vjeç, synojnë zonat që frekuentohen më shumë nga të rinjtë.

Ligji shqiptar garanton mbrojtje për fëmijët dhe Kodi i Punës ndalon punën te të miturit nën 16 vjeç. Sipas avokatit Redi Ramaj, puna ndër të tjera i ekspozon ata ndaj rrezikut.

“Mund të jenë objekt edhe i veprave penale, i shfrytëzimit dhe i abuzimit mbi ta”, tha ai.

Ndodhur në këtë situatë, ku fenomeni i fëmijëve në rrugë ka ardhur duke u përhapur, sipas juristëve institucionet duhet të përdorin instrumente më të fortë për parandalimin.

“Kemi pasur raste në gjykatë ku prindërit i kanë detyruar të bëjnë këto veprime të paligjshme. Institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë sepse legjislacioni ekziston dhe mundësitë që ata të gjejnë një zgjidhje duke u përkujdesur janë”, tha Ramaj.

Përveç rrezikut, një fëmijë që del në rrugë për të punuar përballet edhe me të tjera pasoja.

“Gjëja e parë që ndikon tek ata është elementi i stresit, frika dhe pasiguria. Por, mbi të gjitha, pasiguria që kanë në familje, përderisa i gjen në mjediset e rrugës. Braktisja e arsimit është një nga problematikat më të mëdha që kanë fëmijët që punojnë“, tha Arjana Muçaj, sociologe.

Në disa raste janë prindërit që i detyrojnë, por arsyet pse një fëmijë gjendet në kushtet e punës janë të ndryshme.

“Janë arsyet ekonomike që ka familja; në shumicën e rasteve janë familje të varfra. Fëmijët kthehen në mbështetje për familjen. Ka prindër që janë problematikë, të alkoolizuar, ku ekziston dhuna, dhe ndonjëherë ky fëmijë e sheh veten më mirë duke ndenjur e shitur në rrugë sesa të jetë pjesë e atij mjedisi”, tha Muçaj.

Sipas sociologes, fëmijët që punojnë janë gjithashtu objekt i bullizmit nga bashkëmoshtarët e tyre, arsye që ndër të tjera i detyron të braktisin edhe shkollën.

Lini një Përgjigje