‘Epidemia’ e narcizizmit: E vërtetë apo e imagjinuar? Neli Demi: Rreziku i kthimit të psikologjisë në gjyq moral

22 Shkurt 2026, 17:00Sociale TEMA

‘Epidemia’ e narcizizmit: E vërtetë apo e imagjinuar? Neli

Në kulturën e sotme, gjuha e psikologjisë duket se është bërë pjesë e bisedave të përditshme. Megjithatë, pak terma qarkullojnë më lirisht se sa “narcizist.” Dikur një koncept klinik, kjo fjalë sot përdoret shpesh si një verdikt i shpejtë moral, aplikuar ndaj kujtdo: nga ish-partnerët tek figurat publike, apo cilido person sjellja e të cilit na duket tepër e përqendruar tek vetja, apo e vështirë.

Gjatë bashkëbisedimit në episodin e radhës të Apostrof Podcast, mjeku psikiatër dhe psikoterapisti Neli Demi e quajti këtë një thjeshtim të ekzagjeruar, ndërsa bëri një ndarje të qartë mes narcizizmit si tipar njerëzor dhe Ç’rregullimit Narcizist të Personalitetit. Ai shpjegoi se narcizizmi i shëndetshëm nuk është diçka negative, por mënyra se si ne mësojmë të duam veten. Pa të, ne do të kishim pak motivim, apo shtysë për arritje.

Patologjia, nga ana tjetër, nis kur ky tipar ngurtësohet dhe kthehet në një strukturë mbrojtëse. Ç’rregullimi Narcizist i Personalitetit funksionon si mburojë kundër vulnerabilitetit. Shpesh, posht ndjenjave të grandiozitetit fshihet një paaftësi për të toleruar ekspozimin ndaj brishtësisë, çka çon në ndërtimin e një tjetër imazhi për veten si kompensim.

Biseda ndalet gjithashtu tek zhbëra e disa stereotipeve. Narcizizmi nuk është gjithmonë i zhurmshëm apo dominant. Ndërsa disa persona reagojnë në mënyrë agresive ndaj kritikave apo zhvlerësimit, të tjerë e kthejnë këtë agresivitet nga vetja. Forma pasive, apo vetëshkatërruese të narcizizmit mund të mbështeten tek vuajtja ose zhvlerësimi i vetes si mënyra jodirekte për të kërkuar vlerësim.

Përetj aspektit klinik, diskutimi përqendrohet edhe tek kultura. Shpejtësia e jetës modern dhe presioni i vazhdueshëm për të performuar, inkurajojnë diagnoza të shpejta, duke bërë që etiketimi i të tjerëve si narcizistë të shndërrohet në një lloj rruge të shkurtër, e cila na “kursen” lodhjen e ekzaminimit të kompleksitetit të marrëdhënieve apo dinamikave të pushtetit.

Sfida, sugjeron Demi, është që të shkojmë përtej etiketave dhe të rifitojmë durimin e nevojshëm për menduar në kompleksitet.