“EU4Schools”, brenda këtij viti përfundon rindërtimi i gjimnazit “Dhosi Liperi” në Sukth

3 Nëntor 2022, 12:56Sociale TEMA

“EU4Schools”, brenda këtij viti përfundon rindërtimi

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP Albania) njofton se brenda këtij viti parashikohet të përfundojë edhe rindërtimi i Gjimnazit “Dhosi Liperi” Sukth, Durrës, një objekt arsimor i cili është pjesë e Programit “EU4Schools” (BE për Shkollat).

Ditët e fundit është realizuar një vizitë monitoruese pranë këtij gjimnazi me pjesëmarrjen e mësuesve, prindërve dhe përfaqësuesve të qeverisjes vendore, të cilët kanë ndjekur nga afër progresin e punëve të realizuara deri tani në këtë objekt arsimor.

“Transparenca dhe llogaridhënia qëndrojnë në zemër të Programit “EU4Schools””, nënvizon UNDP Albania, teksa me rindërtimin e “Dhosi Liperit” do të përfitojnë drejtpërdrejtë 195 nxënës, 16 mësues dhe rreth 16 mijë banorë të komunitetit.

Përgjatë vizitës monitoruese në terren, pjesëmarrësit kanë kontrolluar dhe janë informuar se si po ecën procesi i zbatimi, kanë parë nëse sugjerimet e tyre përgjatë konsultimeve publike janë zbatuar ashtu siç duhet, kanë përdorur kartën e monitorimit, si dhe kanë dhënë sugjerimet finale në këtë fazë të rindërtimit të kësaj shkolle.

Në një postim në rrjetet sociale UNDP Albania thekson se “Rindërtojmë së Bashku” është një prej parimeve bazë të Programit “EU4Schools”, ndërsa në këtë kontekst janë realizuar deri tani 63 konsultime publike me pjesëmarrjen e 1,734 personave, si dhe 32 vizita monitoruese me pjesëmarrjen e 526 personave.

I financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNDP Albania, Programi “EU4Schools” po ndërton objektet arsimore të së ardhmes.

Në fokus të tij është rindërtimi apo riparimi i mbi 60 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë rreth 24,500 fëmijë, nxënës e mësues. Deri tani në kontekstin e këtij programi janë rindërtuar/riparuar 32 objekte arsimore.

Lini një Përgjigje