Gjirokastra, dhe një festë e veçantë gazetarësh në qytetin e gurtë

29 Maj 2023, 20:13Sociale TEMA

Gjirokastra, dhe një festë e veçantë gazetarësh

Nga Ilir Xhafaj

Ora shënon 17.55 minuta, jemi në Gjirokastër. Sapo hyjmë ne Virua dhe ndjekim rrugën për në qytet, sytë të shkojnë te kalaja hijerëndë.

Është periudha më e mirë e vitit për të vizituar qytetin e gurtë me kala, muze, liqen dhe një lumë. Rrethinat e Argjirosë dhe qyteti i vjetër jeshilojnë nga lulet e pemët. Një vesë e lehtë sapo kishte kaluar. Çatitë prej guri vezullonin si argjend nga shiu pranveror.

Rrugët ishin plot me turistë. Gumëzhinin nga të huajt që kishin ardhur te vizitonin Gjirokastrën. Edhe nuk u surprizuam në fakt, sepse e gjithë rruga nga Mallakastra deri në hyrje të qytetit të Gjirokastrës ishte me autobusë të agjencive turistike, të huaj dhe të Kosovës.

Këta të fundit i kupton menjëherë, nga dashuria që kanë për emrat shqiptarë dhe i kane stamposur me aq krenari nga fillimi në fund të autobusëve. Herë-herë gjatë rrugës ndesheshe edhe me grupe turistësh me motora e biçikleta. Veç asaj shqipe, mund të dëgjoje çdo gjuhë të mundshme këtë fundjavë në Gjirokastër.

Por, ishim për një qëllim tjetër në qytetin e gurtë, pavarësisht se po na pëlqente dhe ne të ndiheshim për disa momente si turistë.

Te Biblioteka e qytetit po mbahej një festë e veçantë gazetarësh. Kisha qenë disa herë në Gjirokastër, por vendin ku duhet të shkoja nuk e dija dhe në GPS dilte në dy vendndodhje të ndryshme.

Rrugës për në Qafën e Pazarit ula xhamin e makinës dhe pyeta një person që po qëndronte krah një Mercedesi, prodhim klasik i 15-20 viteve më parë, ama nga jashtë shkëlqente sikur sapo të ishte blerë. Sigurohem ta pyes fillimisht nëse ishte banor.

– Si jeni? Jeni nga Gjirokastra? – e pyeta unë.

– Po, – ma kthen ai, disi i habitur. Për një moment u habita dhe unë kur pashë mimikën e tij. Ktheva kokën nga pasqyra për të parë fytyrën nëse kisha diçka që s’shkonte.

– Mendova se ishe dhe ti turist. Thashë me vete po ky kur e mësoi shqipen, – foli për herë të dytë zotëria.

Personat që kishte në krah nisën të qeshnin ashtu nën zë. Nga nxitimi për të mësuar vendin ku duhet të shkoja, më kishte shpëtuar tabela “Taksi”. Nëse do ta kisha vënë re me parë, nuk do e kisha pyetur zotërinë nëse ishte nga Gjirokastra.

– Ish-shkolla Koto Hoxhi është dhe shumë larg? – vazhdova unë.

– Do ecësh 200-300 metra në rrugën me kalldrëm, pak mbi shtëpinë e Kadaresë, në të majtë është Biblioteka, – tha ai.

E falenderova dhe teksa ecja ngadalë me sy po kërkoja një parkim. Edhe përse ishte plot me turistë, në Gjirokastër mund të gjeje një vend për makinën më lehtë se në Tiranë. Mora në këmbë rrugën për në Qafën e Pazarit. Ajo ishte më e ngushtë dhe zërat e turistëve sikur përplaseshin në muret e gurta dhe shumoheshin.

Bisedonin me njëri-tjetrin për rrugët dhe bukurinë e qytetit. Disa ndalonin të shikonim reklamimet e hoteleve dhe shtëpive pritëse buzë rrugës. Ata që flisnin në anglisht mundohesha “t’i përgjoja”, kurse të tjerët nuk i kuptoja, por mendoj se ishin nga Evropa Lindore.

Përsëri dola nga tema për të cilën nisa të shkruaj dhe shkova ne Gjirokastër këtë të shtunë, 27 Maj.

Mbërrij te Biblioteka dhe përpos tabelës e kuptova që isha në vendin e duhur edhe nga një makinë e Radio Televizionit Shqiptar që ishte parkuar jashtë.

Pashë njerëz që qëndronin njëri pas tjetrit deri te shkallët. Sa më larg derës kryesore, aq dhe më e shkujdesur ishte radha. Në një moment mendova se aktiviteti për të cilin kisha shkuar posaçërisht nuk kishte filluar ende, ose të paktën kështu doja unë të ishte.

Ktheva dorën dhe me bisht të syrit pashë orën. Ishte 18.17 minuta dhe unë isha një çerek ore me vonesë. Ngjis me nxitim shkallët dhe pasi kalova mes njerëzve, mbërrita ne hyje të sallës modeste të Bibliotekës së Gjirokastrës.

Po fliste Thanas Dino. Nuk e njihja personalisht por emrin e tij e kisha dëgjuar në biseda të ndryshme në qarqet gazetareske. Një gazetar dhe publicist i njohur në Gjirokastër dhe ne zonën e jugut. 20 vite kishte punuar në “Zërin e Popullit”. Në krah kishte kryetarin e Unionit te Gazetarëve, Aleksandër Çipën dhe gazetarin Kristo Mërtiri.

Ky i fundit ishte arsyeja përse kisha udhëtuar nga Tirana për në qytetin e gurtë. Unë dhe shumë kolegë e miq të tij.

Pas më shumë se 45 vitesh në profesion, në disa prej gazetave më të rëndësishme të kohës, nga “Zëri i Popullit”, te “Bashkimi” e “Zëri i Rinisë”, Unioni i Gazetarëve po e nderonte me një çmim të rëndësishëm. Edhe përse është tërhequr prej vitesh nga gazetaria aktive, prapë shkruan thuajse çdo ditë në shtypin e shkruar dhe elektronik. Por tani e bën nga pasioni.

Kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa i dha në dorë Kristo Mërtirit “Certifikatën e Mirënjohjes”, pikërisht për pasionin e tij në gazetarinë raportuese dhe reportazhin në shtypin e shkruar.

Duke e vlerësuar lart figurën e Kristo Mërtirit, si një gazetar i pasionit me cilësitë më të qenësishme njerëzore, Çipa u shpreh:

“Në kushtet kur bota jeton krizën e shpirtit njerëzor, këto referenca (të Kristo Mërtirit) na dëshmojnë se njeriu ka nevojë për ngrohtësinë njerëzore. Kur kjo respekton cilësinë, ato që ne i quajmë virtyte njerëzore, shoqëria bëhet më e bukur dhe vendi padyshim më i jetueshëm!”

Këto dhe shumë tipare e cilësi të tjera Kristo Mërtiri i mishëron më së miri. Familja dhe miqtë kishin qenë në shumë ceremoni ku gazetari është nderuar e vlerësuar, por kjo e Gjirokastrës ishte më e veçanta. Më e veçanta edhe për zonjë e tij, Letën, siç e thërret Kristo Mërtiri, e cila i ka qëndruar në krah në këtë rrugëtim jetësor të mbushur me gëzime e momente të vështira.

U njohën aty kur nisën studimet në Pedagogjiken e Gjirokastrës, por Kristo Mërtiri u detyrua ta linte në mes sepse e morën për ushtar. I ndërprenë në mes studimet, por jo lidhjen me zonjën Leta dhe qytetin e gurtë. Ashtu me rrobat ushtarake shkoi në Tiranë dhe mori pjesë në konkursin për gazetari.

Fitoi dhe iu përkushtua studimeve me një energji të jashtëzakonshme. Jugu zë pjesën më të rëndësishme të karrierës së tij. Për Kristo Mërtirin nuk ka si përmetarët e tij, tepelenësit, gjirokastritët, sarandjotët dhe delvinjotët, për të cilët ai shkroi me shpirt përgjatë viteve.

Ka shkruar edhe për shumë komunitete të tjera, ka qenë zëri i tyre nga veriu në jug, por nderimi që i bëhej në Gjirokastër e kishte prekur.

Mesa duket, ata që kishin zgjedhur ta organizonin ceremoninë atje në jug, rrëzë mureve të kalasë hijerëndë të Argjirosë dinin diçka më tepër për jetën e tij. Falenderoi Aleksandër Çipën për vlerësimin që po i bënte në emër të organizatës së Unionit të Gazetarëve, disa nga të pranishmit që kishin qenë shokë jete me Kristo Mërtirin, që nga “Zëri i Popullit” e te gazetat e tjera të kohës.

Kishte dhe të tjerë, që ai nuk i ndante dot nëse i kishte më shumë kolegë apo miq. Një ndër ta ishte dhe Lushi, Lushi i Antigonesë. Ndër gazetarët pionierë, botues i përhershëm i Dita Jug dhe bashkëpunëtor në shumë media kombëtare në vend, Engjëll Serjani kishte organizuar me detaje gjithçka.

Në derën e Bibliotekës ishin dhe dy vogëlushë që ndiqnin me sy nderimin e gjyshit. Ishin dy fëmijët e djalit të tij, Julianit. Rruga e gjatë nga Tirana nuk i kishte lodhur, përkundrazi, ndiqnin me kërshëri atë moment të rëndësishëm. “Kemi ardhur për gjyshin”, më thanë kur i pyeta.

Nuk vonoi shumë dhe Kristo Mërtiri e çoi fjalën dhe te ata, para se ta mbyllte. “Krenaria ime janë ata dy vogëlushë që po rrinë krah sime shoqeje. Ata më japin guxim dhe më kanë zbukuruar ditët”, tha ai, ndërsa dy nipërit u skuqën nga ato dhjetëra sy që u kthyen menjëherë drejt tyre.

Ceremonisë po i vinte fundi dhe të gjithë donin të thonin diçka për gazetarin nga Gryka e Peshtan-Mezhgoranit që edhe pas 45 vitesh shkruan me të njëjtin pasion për jugun e tij dhe për Shqipërinë hallemadhe. Kush kujtonte ndonjë histori e të tjerë shkrimet e tij.

Me urime dhe duartrokitje për vlerësimin e Kristo Mërtirit, në sallën e vogël e Bibliotekës së Gjirokastrës nisën të “kërcisnin” shkrepjet e aparateve fotografike. Të gjithë të pranishmit donin të kishin një foto të atij momenti.

Një festë e veçantë gazetarësh që padyshim ia shtoi më tepër hijeshinë Gjirokastrës këtë fundjavë…

Lini një Përgjigje