INTERVISTA/Niazi Jaho: Gjykata dhe media, dhe këmbimi i roleve

11 Shtator 2024, 16:00Politika Nga Naim Zoto

INTERVISTA/Niazi Jaho: Gjykata dhe media, dhe këmbimi i roleve

Intervistë me juristin Niazi Jaho dhënë gazetarit Naim Zoto

-Flitet shpesh për drejtësi të pavarur, por edhe përmedia të pavarur. Mirëpo këto shpesh i prishin punë e ankohen për njëra-tjetrën. Pse?

-Mungesa e pavarësisë reflekton në paanshmërinë që është parim tjetër i rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Të jesh i paanshëm do të thotë të mos paragjykosh, t'i shmangesh konfliktit të interesit, të jesh i papërlyer, të respektosh parimin e prezumimit të pafajësisë. Pavarësia dhe paanshmëria nuk mund të shkëputen nga niveli i profesionalizmit nga standardet gjithmonë në rritje të gjykimit dhe vendimmarrjes. Po kështu edhe media ka në themel këto principe dhe roli i saj është mjaft i rëndësishëm për një drejtësi funksionale dhe të pastër.

-Por një slogan i njohur thotë: Kur flet gjykata të tjerët duhet të heshtin. Edhe media?

- Po, shumë herë kemi dëgjuar të thuhet: "Kur flet gjykata të tjerët duhet të heshtin". Kjo shprehje është e drejtë nëse është fjala për zbatimin e detyrueshëm të vendimeve të formës së prerë të gjykatës. Por do të ishte gabim, madje edhe e dëmshme nëse me shprehjen e mësipërme do të kuptohej mbyllja e gojës, e komenteve apo kritikave. Media e ka për detyrim ndaj publikut dhe funksion të saj marrjen e informacionit dhe përcjelljen e tij për publikun, përfshi edhe veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë.

Nga ana tjetër, gjykatat, siç dihet, nuk veprojnë në boshllëk. Ato nuk janë të imunizuara nga gabimet, të qëllimshme ose jo qofshin ato. Media nuk mund të heshtë kur diçka ka interes për publikun. Gazetaria investigative nuk mund të tërhiqet, nëse dalin ose zbulohen prova apo fakte të reja që nuk diheshin më parë dhe që janë shmangur apo manipuluar. Ajo edhe në Shqipëri nuk është një mision i pamundur, por kërkohet profesionalizëm, durim, këmbëngulje dhe guxim. Gazetaria investigative mbështetet në fakte edhe pse ato mund të mos jenë plotësisht të sakta dhe del nevoja e verifikimeve të mëtejshme nga organet përkatëse të drejtësisë. Por unë kam dëshirë të sjell këtu disa të dhëna e raste konkrete si i gjykon marrëdhëniet media-gjykata një institucion e drejtësisëevropiane (BE), madje duke iu referuar vendit tonë.

Në çështjen Fre de Rua kundër Francës, Gjykata e Strasburgut është shprehur: "Gazetarët përfitojnë nga mundësitë e publikimit të informacionit për çështje të rëndësishme publike, por me kusht që të veprojnë në mirëbesim me bazë faktike dhe juridike si edhe të sigurojnë një informacion të besueshëm në pajtim me etikën e gazetarit".
Ka raste, edhe pse të rralla, që gazetari procedohet në rrugë civile apo penale. Në raste të tilla, gjykatat duhet të jenë shumë të vëmendshme sepse masat ndaj gazetarit mund të dekurajojnë shtypin në kryerjen e misionit të tij dhe në nxitjen e debatit politik.

"Shoqëria- thuhet në një vendim të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut- i ka besuar gjyqtarëve një rol shumë të rëndësishëm e megjithatë pritet që ato të veprojnë nën kontrollin e publikut. Nëse nuk e përmbushin këtë detyrë zbulohen ndaj kritikës nga e cila nuk meritojnë të mbrohen".

-Pra, sipas kësaj logjike, thënë  ndryshe: “Kur flet media gjykata duhet të mbajë shënime”?

Nuk është kaq e thjeshtë; çështja është më komplekse. Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të gjyqësorit, në një vendim tjetër Gjykata e Strasburgut  ka tërhequr vëmendjen se fushata mediatike në këtë apo atë rast mund të cenojë besueshmërinë e procesit gjyqësor përmes ndikimit negativisht në opinionin publik dhe në vetë gjykatën që do të vendosë mbi fajësinë ose jo të të akuzuarve. Pavarësisht nga këto raste, relativisht të rralla, diskutimi publik i vendimeve gjyqësore si dhe kritika ndaj tyre nuk mund të ndalohet. Kështu, për shembull, edhe një vendim i formës së prerë gjyqësor në vetvete nuk mund të përbëjë provë për të thënë se media gënjen kur ofron informacion dhe pikëpamje ndryshe nga ato që përmban vendimi i mësipërm i gjykatës.

Në praktikën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut evidentohen, gjithashtu, raste kur gazetari profesionist është ndëshkuar edhe kur ai ka zbuluar të dhëna dhe fakte që kanë kushtëzuar rishikimin e vendimeve që prej kohësh kishin marrë formë të prerë. Në çdo rast gjykata është e detyruar të balancojë rolin e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit për të informuar mbi çështje të interesit publik.

-Sipas jush, a është e lirë media të publikojë gjithçka edhe për qytetarët e thjeshtë?

Natyrisht, kur kritika ka si qëllim kryesisht fyerjen ose shpifjen ndaj gjykatës, ajo nuk i shërben debatit publik dhe mbrojtja që i jepet lirisë së shtypit është tepër e ngushtë. Për shembull, nuk besoj të ketë patur interes për publikun botimi në median tonë të mesazheve intime të shkëmbyera midis dy personave, edhe pse njëri prej tyre akuzohej për kryerjen e një krimi. Theksojmë se mesazhe të kësaj natyre në rastin konkret nuk i shërbenin zbulimit të së vërtetës dhe as debatit publik. Nuk besoj, gjithashtu, të ketë pasur interes publik kritika e drejtë që media i ka bërë një personi ku, veç të tjerave, përmendet edhe marrëdhënia e tij para disa viteve me një femër, fotografia e së cilës është publikuar në të njëjtën media dhe pa pëlqimin e saj, gjë që mund të krijonte një konflikt familjar.

Zhvillimi i seancave gjyqësore si rregull është publik. Për median, dihet, ato janë burim i rëndësishëm informacioni. Është në vlerësimin e medias se çfarë informacioni ka ose jo interes për publikun. Në këtë vështrim për të arritur në përfundime të drejta dhe të bazuara, do të duhej të mbështeteshim në fakte dhe analiza objektive, gjë që është e vështirë të bëhet në kuadrin e një diskutimi. Vlen të përmendet se ky problem është i lidhur ngushtë me parimin e lirisë së shprehjes, pra, edhe të lirisë së medias, me njohjen e disa parimeve në bazë të të cilave zhvillohet seanca gjyqësore midis të cilave edhe me respektimin e së drejtës së personalitetit dhe të privatësisë. Natyrisht, nuk kërkohet që gazetari të jetë specialist në fushën e drejtësisë.

- Kanë të drejta edhe kriminelët lidhur me median?

Gjatë konsultimit me materiale për raportet gjykatë -media më ka tërhequr vëmendjen jurisprudenca kushtetuese e Republikës Federale Gjermane, që veç të tjerave, trajton edhe rolin e medias në informacionin që ajo i jep publikut lidhur me zhvillimin e proceseve penale në përgjithësi dhe në veçanti në adresë të autorit të krimit. Trajtimi doktrinar i referohet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese Gjermane. Më lejoni që shkurtimisht të përmend vetëm disa pjesë të këtij vendimi. Në të thuhet se publiku duhet të informohet për kryerjen e krimeve, duke përfshirë identitetin e të akuzuarve dhe rrethanat që kanë çuar në këtë krim. Krimet janë pjesë e historisë, publikimi i të cilave është detyrim i mediave.

Por interesi në publikimin e informacionit nuk është absolut. Rëndësia e së drejtës së personalitetit kërkon jo vetëm kujdes referua aspektit personal, por edhe respektim të parimit të proporcionalitetit. Cenimi i sferës personale, kufizohet në raport me nevojën e informacionit që ka interes publik, ndërsa dëmi që mund të pësojë i akuzuari duhet të jetë në proporcion me rëndësinë e shkeljes. Për pasojë nuk është gjithmonë e lejueshme të zbulohet emri, të ekspozohet fotografia apo të përdoren mjete të tjera për identifikimin e autorit të krimit.

Efekti rrezatues i garancisë kushtetuese të së drejtës së personalitetit nuk i jep të drejtë medias të ndërhyjë në mënyrë të pakufizuar në sferën personale dhe private të autorit të krimit. Kur përmbushet interesi i publikut në marrjen e informacionit të freskët për krimin, rritet e drejta e autorit të krimit për ta lënë atë të qetë. Sapo një gjykatë penale e ka dënuar të akuzuarin për një akt që ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe ai ka përjetuar reagimin e menjëhershëm të komunitetit, çdo publikim i mëtejshëm apo i përsëritur ndaj sferës personale të autorit të krimit, normalisht nuk mund të justifikohet. Më së fundi, transmetimi televiziv lidhur me një krim që nuk justifikohet më me interesin e publikut në marrjen e informacionit do të ishte i dëmshëm nëse do të rrezikonte rehabilitimin social të autorit të krimit.

-Ka shumë emisione televizive ku trajtohen probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me kriminalitetin, procedimet, gjykimet penale, administrimin e provave në këto procese. A shihni emisione të tilla dhe a mund të jepni ndonjë përshtypje për to?

-Po, pjesërisht i kam ndjekur. Pavarësisht se mund të mos jem pajtuar me mendimin e këtij apo atij pjesëmarrësi, jam i kënaqur për kulturën e debatin si dhe për etikën e treguar. Ka raste që më ka bërë përshtypje logjika elementare ligjore edhe të atyre që nuk janë juristë.

E kundërta ndodh me disa panele të tjera televizive, ku trajtohen problemet të rëndësishme, por ato që i transmetojnë publikut nuk janë të qarta, pse ndodh që vetë panelistët a analistët nuk kanë kulturën apo njohuritë e duhura për argumentin që marrin përsipër të sqarojnë publikun, për të mos thënë se ka patur edhe ndonjë kur ky apo ai pjesëmarrës (pa përjashtuar edhe ndonjë jurist) në mendimet e shfaqura bëjnë rolin ehetuesit, prokurorit, gjyqtarit, madje edhe të Gjykatës së Apelit.

Harrohet ose anashkalohet parimi i sanksionuar në nenin 30 të kushtetutës: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Më kujtohet që në një emision të tillë një gazetar u shpreh pak a shumë kështu: “Në ngarkimin të X ka kaq shumë prova saqë nuk mund të vihet në diskutim fajësia e tij”. Juristi që ai kishte përballë e ndërprerë duke i thënë: “Mos harro prezumimin e pafajësisë”. Më lejoni të përmend përgjigjen e menjëhershme të tij: “Po, ashtu thuhet në Kushtetutë, por unë këtu kam të drejtë të flas politikisht. Pastaj kam dhe unë burimet e mia”. Këtë ne e dëgjojmë dhe ndonjëri mund edhe të pyesë në cilin nen apo dispozitë ligjore lejohet deklarimi fajtor politikisht? Është rasti të theksojmë se gjykata e Strasburgut ka shqyrtuar mjaft çështje ku është cenuar parimi i prezumimit të pafajësisë, ashtu si dhe ai i privatësisë.

Fjala e lirë sanksionohet me ligj, por kur ajo bie ndesh me parimet kushtetuese nuk mund të merret në mbrojtje. Duhet patur parasysh se media është një nga mjetet më të fuqishme dhe më ndikuese në opinionin publik, prandaj duhet të matemi kur lëshojmë fjalën.Fjala ndonjëherë vret më shumë se arma e njëkrimineli, ashtu edhe si edhe një vendim gjykate.

INTERVISTA/Niazi Jaho: Gjykata dhe media, dhe këmbimi i roleve

 

6 Komente

  1. a
    arsimtari

    Ja dhe nje Galloshe e grisur e kohes Diktatures e mbetur akoma gjalle, persekutori Njazi Jaho. Te flase ky ish-persekutor e nostalgjik i Diktatures sot per Media e Gjykata eshte shembulli me i qarte se sot qeverisin pasardhes gjenetike te asaj Diktature.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Albert

      Eh, more Njazi, jetegjati Njazi, shembulli i juristit zemerbardhe dhe kompetent i pakrahasueshem. Te lumte mendja dhe pena. Mbi 100 vite mbi supe, ju me kthjelltesine tuaj na mahnisni gjithnje ne nxenesve qe po na ngaterrohen shpesh kembet ne keto vite demokracie, si nje "arsimtari " me siper, i cili as te njeh e as ka qene ndonjehere arsimtar, por nje zagar qe lehe ne henez. Shume mire ben botuesi Naim Zoto dhe gazeta Tema qe sjellin per publikun intervista te tilla.

      Përgjigjjuni
      1. p
        petro

        Nuk e kuptoj pse fotoja ne krye duhet te jete me nje gote vere para te intervistuarit. Çfare do me thene kjo? Ka ndonje mesazh kjo foto?

        Përgjigjjuni
        1. e
          e po...

          O Njazi, nuk te gjykoj se ku ke qene, por te gjykoj ne vertetesine e punes qe ke bere dje dhe sot. Kur gjykata jep vendim te formes prere, duhet te heshtim ! pyetj: Gjin Gjoni ka dhene ne emer te detyres gjithe ato vendime te formes prere, duhet te hesht une?! Prokuroret edhe gjykatesit e plepave kane gjithe ato vendime te formes prere, deri ne shkaterrimin total te Shqiperise dhe pasurive te saj, duhet te hesht? NUk jam dakort. Une hesht kur ata, prokurore dhe gjykates nuk lene shteg te flase, por jo me vendimet e tyre pas qejfit se nuk i KA ZGJEDHUR POPULLI, por i ka emruar politika nepermjet shkollave qe kane bere, ndersa vete politka nuk ka asnje grame shkolle per politike, por per pordhitik. Ku e mbaroi Sali Berisha apo Edi rama shkollen per politike?! Se une politiken e quaj menyren e vetme per ti sherbyer komunitetit njerezor ne interes te tij dhe jo si thone keta; e thashe ket se bera politike: politike me grate e shtepise, politike me te dhjerat ne parlament, politike me genjeshtrat...." bera politike...", e kupton? POlitka eshte shkence dhe edhe bota ka shume pak politikane e jo me Shqiperia. Politikan me Gaz bardhin apo Flamur Noken, Arben Ahmetaj apo mediokra te tjere teresishte injorante !

          Përgjigjjuni
          1. T
            Tru larasku

            Më vjen keq me atë të vetë quajturin arsimtari, e para qlnke arsimtare pa shkollë, e dyta turp që quan një njeri që është një shkollë e gjallë e juris prudencës, e treta vërtet Z. Jaho është i moshuar por mendjen e ka si të një të riu, si gjithmon korrekt në atë që thotë e nuk po ofendon njeri si ti o arsimtar pa shkollë. Sa gjysma ndoshta është shumë por sa1% të trurit tl tij të kishe ti di tl kishe bër hajër e nuk do të rrije pas celularit të shaje njerëz që nuk arrin ti kuptosh. Z. Jaho të rroj dhe disa vite të tjera se i bën nder drejtësisë.

            Përgjigjjuni
            1. A
              Altin Pellumbi

              Aq arsimtar është “arsimtari” sa e ka mbulu dhe “bari i lopëve” as diellin nuk e sheh dotë! E jo më të ketë aftësinë e të bëj komente rreth figurës së konstitucionalistit dhe juristit më me emër në Shqipëri : Njazi Jaho! Ç’farë të bësh!! U bë deti kos ta hajë dhe një lugë “arsimtari”!

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje