Pse iu besojmë disa sistemeve edhe kur e dimë që nuk funksionojnë si duhet? Përse e ndiejmë të nevojshme që parasë, veç vlerës monetare, t’i japim edhe vlerë morale, ndërsa të njëjtën gjë nuk e bëjmë me institucionet që e manaxhojnë dhe qarkullojnë atë?
Këto janë disa nga çështjet për të cilat biseduam në episodin e 28-të të Apostrof Podcast me antropologen Smoki Musaraj, puna studimore e të cilës përqëndrohet tek eksplorimi i marrëdhënieve komplekse, intime dhe shpesh paradoksale mes parasë, besimit dhe moralit në shoqëritë post-socialiste.
Profesore e asociuar e antropologjisë në Universitetin e Ohajos dhe autore e librit “Tales from Albarado: Ponzi Logics of Accumulation in Postsocialist Albania”, Musaraj flet në Apostrof Podcast për paranë përtej aspektit monetar, duke e u ndalur tek vlera morale e saj dhe mënyra se si riformëson marrëdhëniet njerëzore dhe intimitetin. Ajo na kujton se paraja nuk është thjesht një instrument i ftohtë shkëmbimi, por edhe një mënyrë e shprehjes së kujdesit, dashurisë, fajit, por edhe e gjykimit moral.
Biseda përqendrohet më pas tek firmat piramidale në Shqipërinë e viteve 1990-të, të cilat përbëjnë edhe një nga pikat më qëndrore të studimit të saj. Musaraj i reziston shpjegimeve të thjeshta dhe reduktuese se përse një numër aq i madh njerëzish nga shtresa të ndryshme sociale vendoësn t’ua besonin paratë e tyre skemave Ponzi. Ajo shprehet se, ndryshe nga si është përshkruar përgjatë viteve, kjo nuk ishte thjesht çështje naiviteti apo padijeje, por kishte një infrastrukturë shumë më të gjerë, e cila i bëri shumë shqiptarë të binin pre e këtyre skemave. Në analizën e saj, Musaraj tregon se këto firma ishin kompani të regjistruara ligjërisht, me mbështetje të hapur politike sidomos nga ish-Presidenti Sali Berisha, sponsorizuese të mediave të kohës përmes reklamave. Megjithatë, ajo thotë se një rol kyç e luajtën lidhjet e forta sociale dhe familjare në Shqipërinë e kohës, veçanërisht për masivizimin e tyre.
Kjo na çon në një diskutim më të gjerë në lidhje me korrupsionin jo edhe aq si dështim të sistemit, por korrupsionin si vetë sistemi… Atë korrupsion, që nuk përbën më thyerje të rregullave, por që lind si mënyrë për të marrë diçka që të takon. Në shtete me institucione ende të brishta, njerëzit jo vetëm i tolerojnë marrëdhënie të tilla, por janë të varur prej tyre dhe madje gjejnë edhe shpjegime morale, duke e humanizuar korrupsionin.
Nga korrupsioni, kalojmë më pas tek transformimi urban. Në Shqipëri, dhe veçanërisht në Tiranë, po ndërtojmë sikur të ishim të përjetshëm, ndërsa jetojmë njëkohësisht me idenë se do të ikim nga momento në moment. Cilat janë efektet e këtij urbanizimi, ku arkitektura dhe inxhinieria projekton qëndrueshmëri, ndërsa mendësia kolektive qëndron në pritje të mundësisë për t’u larguar?
Musaraj nuk ofron përgjigje të lehta, ndërsa shprehet se si antropologe nuk mund të ofrojë gjykime morale, vetëm të konstatojë dhe analizojë atë që sheh në terren. Megjithatë, puna e saj na ndihmon të kuptojmë se si njerëzit iu japin kuptim jetëve të tyre në sisteme, të cilat ata vetë nuk i kontrollojnë, si intimiteti mund të gjendet edhe tek shkëmbimet monetare dhe se si besimi mes njerëzve mbijeton edhe kur institucionet dështojnë.