Prenotimet e qytetarëve të Shkodrës për pushime jashtë vendit për këtë sezon veror po shënojnë rënie. Agjencitë turistike në qytet bëjnë të ditur se interesi për paketat turistike drejt destinacioneve më të preferuara, si Turqia, Italia dhe Spanja, është më i ulët krahasuar me vitet e mëparshme. Sipas përfaqësuesve të agjencive, megjithëse çmimet e paketave turistike nuk kanë pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me sezonet e kaluara, megjithatë kërkesa ka rënë duke reflektuar nivelin ekonomik.
“Kemi menduar që ka për të qenë si vitet e kaluara. Është pak në rënie, flasim gjithmonë për vendasit, për shkodranë. Këtë vit po kërkojnë çmime jo shumë të larta siç e kanë kërkuar vite të tjera. Po kërkojnë çmime ekonomike. Për një familje 2500- 3000 euro korrik-gusht, një hotel i mirë varion me këtë çmim”, deklaroi agjentja turistike Fatbardha Jubica.
Në të kundërt, turizmi vendas po shfaq një tendencë në rritje. Si qytetarët vendas ashtu edhe emigrantët shqiptarë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt destinacioneve turistike brenda vendit. Zonat bregdetare vijojnë të mbeten zgjedhja kryesore për pushuesit, të favorizuara nga afërsia dhe kostot më të përballueshme krahasuar me ofertat jashtë Shqipërisë.
“Ka rritje kërkesash për vendin tonë. Kemi Sarandën, Vlorën, hotele të mira që po ashtu me thënë të drejtën emigrantat janë më shumë që pyesin, kërkojnë, duan informacione prej agjencive turistike. Po frekuentohen edhe ato patjetër. Vendi jonë ka plazhe shumë të bukura, pse jo mos të frekuentohen”, u shpreh Jubica.
Operatorët turistikë theksojnë se rritje të interesit këtë vit vrehet edhe për destinacionet malore të veriut, të cilat po tërheqin një numër në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj. Lumi i Shalës, Thethi, Kelmendi dhe Valbona renditen ndër më të kërkuara, falë bukurive natyrore, klimës së freskët dhe mundësive për turizëm aktiv e aventurë.
Lini një Përgjigje