Fermerët kanë afat deri më 26 qershor për të aplikuar për përfitimin e subvencioneve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Në Njësinë Vendore të Kujdesit Bujqësor në Vau Dejës, interesi i fermerëve ka qenë i vazhdueshëm gjatë ditëve të fundit, teksa shumë prej tyre po paraqiten për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.
Përgjegjësi i shërbimeve publike në Vau Dejës Zef Pashuku, shprehet se aplikimet po vijojnë me ritme normale dhe fermerët po tregojnë interes për skemat mbështetëse të këtij viti.
“Fermerët e avancuar që kanë investuar në kulturat bujqësore apo në blegturi, ato janë fermerët pararojë të cilët po mundohen me gjithë veten e tyre në këto investime. Diçka çalon është aplikimi për tokë në bazë të tokës që kanë, ku deri dje ishte aplikimi për naftë. Tash me thënë të drejtën ka një fare hezitimi për arsye se janë vu disa kritere të cilët janë në bazë të kritereve të Bashkimit Europian”, deklaroi Pashuku.
Megjithatë, sipas tij, një nga problematikat kryesore mbetet mungesa e AMTP-së dhe emigrimi i pronarëve të tokave, gjë e cila ka skualifikuar fermerët nga përfitimet.
“Ndarja e tokës gjithmonë ka me qenë gangrenë deri kur toka çertifikohet. Diku mungon AMTP-ja, diku janë fermerët që janë emigrim e nuk di ku i kanë”, shtoi Pashuku.
Skema Kombëtare e Mbështetjes synon të ndihmojë fermerët në rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e aktivitetit bujqësor, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë të interesuarve të përfitojnë nga afati i mbetur deri më 26 qershor. /rtsh.al
Lini një Përgjigje