Miratohet udhëzimi i ri shkollor: Ndalim celularësh dhe masa kundër bullizmit

22 Gusht 2025, 08:00Sociale TEMA
Miratohet udhëzimi i ri shkollor: Ndalim celularësh dhe masa

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.

Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.

Fillimisht në udhëzim përcaktohet se regjistrimet e nxënësve në Institucionet Arsimore Parauniversitare (IAP) të bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi që përcakton moshën dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Për shpërndarjen e testeve shkollore udhëzimi përcakton se drejtoritë e IAP-ve duhet të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku të shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet, si dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.

Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, drejtuesit e IAP-ve dhe mësuesit të ndjekin me përgjegjësi procesin e shpërndarjes dhe të shitjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit para fillimit të procesit mësimor dhe të pajisjes me tekste shkollore në përdorim falas për klasat I–IX të arsimit bazë.

Po ashtu kërkohet që prej institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.

Prioritet mbetet edhe masat kundër dhunës dhe bullizimit, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”, miratuar me urdhrin nr. 32, datë 21.1.2025.

Ndër masat konkrete të kërkuara janë: zbatimi i Kodit të Etikës së mësuesit (gusht 2025), planifikimi i veprimtarive ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit, ngritja e këndit “Stop dhunës në shkollë” dhe ekipeve “antibulling” në çdo shkollë. Gjithashtu, theksohet nevoja për monitorimin e komisioneve të etikës dhe disiplinës, si dhe organizimi i veprimtarive sensibilizuese më 21 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Shkollë./Monitor

1 Komente

  1. M
    Mësuesi

    Po mos na jepni udhëzimet e 2015. Ky dështoi. A ka ndonjë udhëzim të ri se si të mos lejohet celulari në shkolla. .....

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje