Nga Elisa Dedja
Nëse do të bënim një vëzhgim të thjeshtë nëpër qytetet e Shqipërisë gjatë këtyre ditëve të nxehta vere, me temperatura që kapërcejnë 40 gradë Celsius, do të vërenim se një pajisje e përbashkët e pranishme në shumicën e shtëpive është kondicioneri. Kjo pajisje, që dikur konsiderohej një luks i paarritshëm për shumë familje, sot është bërë një domosdoshmëri. Edhe familjet me të ardhura nën mesatare janë të detyruara të mbajnë një kondicioner të ndezur, për të përballuar temperaturat përvëluese.
Por, sa herë na shkon ndër mend që ky luks modern është i varur tërësisht nga një furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike? Në ditët kur kërkesa për energji elektrike arrin kulmin, KESH, dhe OSHEE janë ata që sigurojnë që dritat, kondicionerët, frigoriferët dhe të gjitha pajisjet elektrike të mbeten në funksion, pa ndërprerje nga grupe të palodhur terreni duke zgjidhur çdo problematikë në kohë shumë të shkurtër.
Gjatë periudhave të nxehta si kjo, kur njerëzit përpiqen të gjejnë freski dhe rehati në shtëpitë e tyre, kërkesa për energji rritet ndjeshëm. Kondicionerët, ventilatorët dhe pajisjet e tjera elektrike punojnë me kapacitet të plotë, duke krijuar një barrë të madhe mbi rrjetin e furnizimit me energji. Përballë kësaj sfide, KESH ka arritur një performancë mbresëlënëse duke mbuluar gati 100% të kërkesës për energji të vendit. Kjo nuk është një arritje e thjeshtë, por rezultat i një menaxhimi të mirëorganizuar dhe strategjik, që meriton vëmendjen dhe vlerësimin e opinionit publik.
Është e çuditshme, për të mos thënë e padrejtë, që një sukses i tillë të kalojë pa u përmendur nga analistët dhe media. Në një kohë kur kritikat ndaj çdo problemi të vogël zënë vendin e parë në titujt e lajmeve, arritje si këto, që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve, shpesh mbeten në hije. Në një vend ku sfidat energjetike nuk janë të pakta, sidomos gjatë periudhave të thata ose të nxehta ekstreme, mbajtja e një furnizimi të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje është një sukses i madh.
Në periudhë që flasim edhe për kriza energjetike i gjithë sistemi energjetik duke nisur nga ministria, KESH , OSHEE, OST në përballje me këto kushte ekstreme, ka zbatuar një strategji të kujdesshme për të optimizuar përdorimin e burimeve vendase dhe për të reduktuar varësinë nga importet.
Prodhimi nga Kaskada e Drinit, një nga burimet kryesore të energjisë hidroelektrike të vendit, ka arritur nivele të larta, duke siguruar një pjesë të madhe të kërkesës së brendshme. Ndërkohë, importet janë mbajtur në minimumin e mundshëm, duke shfaqur një menaxhim të shkëlqyer të burimeve energjetike.
Në këtë kontekst, nuk duhet harruar se menaxhimi i suksesshëm i KESH gjatë këtyre ditëve të nxehta ka bërë të mundur që Shqipëria të mos përballet me ndërprerje të rrymës, një problem që shumë vende të tjera përballen gjatë periudhave të ngarkesës së lartë. Ky fakt është veçanërisht i rëndësishëm duke marrë parasysh se edhe në kushtet kur turizmi ka pasur një rritje këtë vit dhe kërkesa për energji mbetet e lartë, duke përfshirë jo vetëm konsumatorët individualë, por edhe bizneset që varen nga energjia elektrike për operacionet e tyre të përditshme.
Në vend që të përqendrohemi vetëm te problematikat e përkohshme apo te kritikat e paargumentuara, është koha që të njohim dhe të vlerësojmë suksesin e institucioneve tona, kur ato e meritojnë. Bashkëpunimi i istitucioneve tona energjetike ka dëshmuar se janë të aftë të përballojnë sfida të mëdha dhe të sigurojë një furnizim të qëndrueshëm me energji, edhe në kushte ekstreme.
Një nga arsyet përse ky sukses nuk merr vëmendjen e duhur mund të lidhet me natyrën e heshtur dhe të padukshme të furnizimit me energji elektrike. Kur gjithçka funksionon mirë, askush nuk e vëren, por kur ka ndërprerje, kritikat vijnë menjëherë. Ky është një realitet i padrejtë që duhet të ndryshohet. Publiku duhet të jetë i informuar për përpjekjet që bëhen për të siguruar që energjia të arrijë në çdo shtëpi, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme të motit.
Përfundimisht, është e rëndësishme që media dhe analistët të përqendrohen edhe te anët pozitive dhe sukseset që arrihen nga institucionet tona publike. Në një kohë kur kritika është bërë normë, është e domosdoshme të vlerësojmë arritjet e rëndësishme si ato të KESH, opo OSHEE që sigurojnë një cilësi më të mirë jete për të gjithë ne. Energjia elektrike nuk është thjesht një shërbim, por një domosdoshmëri e jetës moderne, dhe furnizimi i saj i qëndrueshëm është diçka që duhet të njihet dhe të vlerësohet me tërë meritën e duhur.
Cfare eshte KESH? Mos eshte ajo kompania qe ka 30 vjet qe e vjedhin diten per diell? Mos eshte ajo kompania qe shet energjine qe prodhon me te lire dhe e blen me te shtrenjte qe ata qe na drejtojnz te blejne vila, makina te shtrenjta, tu blejne femijeve apartamente ne Londer e gjetke, pa te mbajne grate dhe dashnoret me luks?