Nga Elisa Dedja
Në ditët e sotme, kur hap një portal lajmesh apo ndjek një kronikë televizive, e ke të vështirë t’i shpëtosh pushtetit të lajmeve të kronikës së zezë. Vrasjet, konfliktet me thikë, të gjitha këto raportohen me një urgjencë të zhurmshme, me tituj që klithin për vëmendje dhe përshkrime që depërtojnë deri në detaje të panevojshme. Por pyetja që duhet ngritur nuk është se sa të dhunshme janë këto ngjarje, por pse po i japim kaq shumë hapësirë dhe si po ndikojmë me këtë bombardim mediatik?
Le të ndalemi tek rasti i fundit: një i ri, Martin, humbi jetën tragjikisht në një zënkë me thikë. Një dramë personale që mund të ishte trajtuar me ndjeshmëri dhe maturi, për të analizuar shkaqet sociale e ekonomike që çojnë në konflikte të tilla, përfundoi duke u kthyer në një “spektakël” lajmesh. Portale të shumta u hodhën në sulm me tituj bombastikë, duke e shndërruar vdekjen e tij në një lloj “seriali të zi”, që të nesërmen frymëzoi raportime për dhjetëra ngjarje të ngjashme në qytete të tjera. Papritur, një tragjedi individuale u kthye në një valë narrative që përhapte idenë e dhunës së pashmangshme.
Por çfarë prodhon një raportim i tillë? Sigurisht jo reflektim. Sigurisht jo zgjidhje. Përkundrazi, përforcon një cikël dhune që vazhdon të gëlltisë çdo shpresë për ndryshim. Sensacionalizmi nuk informon, ai nxit panik, normalizon dhunën dhe, në rastet më të këqija, frymëzon akte të tjera të ngjashme.
Media shqiptare sot është në një udhëkryq të rrezikshëm. Përgjegjësia e saj për të informuar publikun është zëvendësuar nga obsesioni për klikime. Lajmet e kronikës së zezë, të zbukuruara me tituj dramatikë dhe imazhe tronditëse, nuk janë më mjete informimi, por produkte tregtie. Një jetë njerëzore, me gjithë dramën e saj, është kthyer në një valë lajmesh që konsumohet në sekonda. Dhe, ironikisht, kjo valë ushqen sistemin mediatik, duke i ofruar “klikime” që përkthehen në fitime.
Por sa vlen një jetë përballë këtyre klikimeve? A ka mbetur ndonjë vlerë etike që i reziston logjikës së tregut? Nëse media vazhdon të veprojë pa filtra etikë, pa ndjeshmëri dhe pa një analizë të thellë të ndikimit të saj, ajo nuk do të jetë më pasqyrë e realitetit, por katalizator i fenomeneve negative që pretendon se po raporton.
Sigurisht, kronika e zezë nuk mund të shmanget. Dhuna është një realitet që nuk mund të injorohet, por mënyra si raportohet është vendimtare. Detajet e panevojshme, fotot tronditëse dhe titujt provokues nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemit. Përkundrazi, ato e ushqejnë atë, duke krijuar një atmosferë ku dhuna bëhet normë, e jo përjashtim.
Ka ardhur koha që institucionet mediatike të reflektojnë. Ky nuk është vetëm një problem i etikës gazetareske; është një çështje që prek të gjithë shoqërinë. Politikat editoriale duhet të rishikohen me urgjencë. Hapësira për historitë pozitive, për analizat e thelluara dhe për zgjidhjet duhet të zërë vendin që sot mbizotërohet nga kronikat e dhunës.
Megjithatë, edhe ato pak media korrekte që kanë mbetur po çalojnë. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të ruajtur një balancë, vëmendja publike vazhdon të dominohet nga “lajmet bombastike”, duke i lënë në hije përmbajtjet që vërtet kanë rëndësi. Ndaj, është e domosdoshme që të ndërtohet një frymë e përbashkët, një unifikim i të gjithë faktorëve, që nga institucionet mediatike deri te mbikëqyrësit, për të kthyer dinjitetin dhe përgjegjësinë në zemër të gazetarisë shqiptare. Vetëm kështu mund të ruajmë një shoqëri që vlerëson jetën më shumë se titujt.
Lini një Përgjigje