Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar lidhur me një video që po qarkullon në rrjet dhe që është bërë virale, ku përfshihet një deklaratë e Drejtoreshës së Përgjithshme të institucionit.
Sipas reagimit zyrtar të QSUT, gjatë një komunikimi me gazetarët, drejtoresha po i përgjigjej një pyetjeje specifike që lidhej me vonesat në hapjen e shërbimeve të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare. Institucioni thekson se ndërhyrja me një pyetje tjetër gjatë diskutimit e shkëputi përgjigjen nga konteksti fillestar.
Në reagim thuhet se një përgjigje normale, e lidhur me një situatë konkrete, u përgjithësua më pas dhe u interpretua jashtë kontekstit, duke u kthyer në një moment që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
NDIQNI VIDEON
QSUT shprehet se akuzat e pabaza ndaj personelit mjekësor ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve ndaj stafit shëndetësor dhe dëmtojnë marrëdhënien mes pacientit dhe mjekut.
Institucioni u bën thirrje pacientëve dhe familjarëve që, në rast se përballen me abuzime apo sjellje të papërshtatshme nga stafi mjekësor, t’i denoncojnë ato përmes rrugëve zyrtare.
“Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ i bën thirrje çdo pacienti dhe familjari që, nëse hasin raste abuzimi apo sjelljeje të papërshtatshme nga stafi mjekësor, t’i denoncojnë pa frikë përmes kanaleve zyrtare”, thuhet në reagim.
Lini një Përgjigje