
“Shqipëria po ngjit shkallët që do ta çojnë drejt derës së Bashkimit Europian. Por, për ta hapur atë derë, do të duhet që fillimisht të bëhen detyrat e shtëpisë. Mes tyre qëndron edhe detyra për kapitullin e 27, atë të mjedisit, e cila konsiderohet si një ndër më të vështirat për vendin tonë dhe përmbushja e saj do të kërkojë kohë përtej vitit 2027”, Mimoza Ibra, gazetare në Vizion Plus.
“Kapitulli 27 është më i madhi dhe më i kushtueshmi për tu përmbyllur. Në total tani për tani ka 201 direktiva që Shqipëria duhet t’i përmbushë. Këto direktiva mbulojnë fushat si krimi mjedisor, përgjegjësia mjedisore, cilësia dhe ndotja e ajrit, ujit, tokës, menaxhimi i mbeturinave, trajtimi i ujërave të ndotur, mbrojtja e natyrës, e biodiveristetit, klima dhe mbrojtja civile. Shqipëria ka ndërmarrë hapa me shpejtësi tani për të përmbushur legjislacionin dhe për të përmbyllur negociatat për kapitullin 27. Ky legjislacion do të jetë gati brenda fundit të këtij vitit, mesit të vitit tjetër. Por, paralelisht me këtë duhet të kemi forcimin e kapaciteteve të administratës dhe ngritjen e kapaciteteve në rast se këto mungojnë dhe investimet. Pra, nuk është thjesht përafrimi i legjislacionit, por duhet të shohim edhe sesi vendi po financon dhe po arrin objektivat që duhet të përmbushë”, tha Edvin Pacara, përgjegjës për Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike, delegacioni i BE në Shqipëri
Por një legjislacion i përafruar me Bashkimin Europian nuk mjafton. Shqipëria duhet të sigurohet edhe për zbatimin e tij dhe për këtë, po përpiqet të negociojë më shumë me Komisionin Europian.
“Për disa piketa përmbyllëse, për shembull për trajtimin e ujërave të ndotura, për menaxhimin e mbetjeve, Shqipëria ka kërkuar periudha kalimtare. Megjithatë, Komisioni Europian ka kërkuar informacion të mëtejshëm për secilën kërkesë që është bërë nga Shqipëria për periudhat kalimtare. Kjo periudhë kalimtare kërkohet pasi disa investime kërkojnë një kohë të gjatë për t’i arrtur, ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërae të zeza së bashku me kanalizimet, mund të marrë vite për të zhviluar projektin, për ta tenderuar dhe për ta përfunduar. Për mbetjet, për të arritur standardet e BE, vendi ka kërkuar 6 vjet dhe gjatë këtyre 6 vjetëve vendi duhet të investojë 700 milionë euro”, shtoi Pacara
Disa vende jepen si shembujt më të mirë nga BE për Shqipërinë për t’i ndjekur për kapitullin e mjedisit.
“Modelet shumë të mira që Shqipëria mund të ndjekë janë vendet Baltike, janë vende që kaluan nga vende të pushtuara, në vende që arritën objektivat dhe zbatimin e legjislacionit të BE për shumë pak vite. Janë vende që edhe rifillimin e shtetësisë e kishin të mbeshtetur te protesta për të drejta mjedisore. Vende të tjera që mund të ndjekim janë vendet ballkanike, që tashmë janë në BE, si Sllovenia dhe Kroacia. Sllovenia është një model për mbrojtjen e mjedisit në BE”, tha ai.
Fatura financiare e përllogaritur nga ekspertët për kapitullin e mjedisit është 9.8 miliardë euro./vizionplus.tv
Lini një Përgjigje