Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

2 Korrik 2022, 15:54Sociale Esmeralda Topi

Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

Në një takim me fermërët, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria mbulon 97% të kërkesave me qumështin e prodhuar në vend. Nga një verifikim i Faktoje rezulton se kjo deklaratë është e pavërtetë. Përfaqësues të grupeve të interesit, ekspertë të fushës dhe shifrat e siguruara në muajin mars nga Faktoje tek drejtoria e doganave rrëzojnë pretendimin e kryeministrit, për të cilin blegtorët thonë se po bën thjesht propagandë.

Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

Konferenca mbarëkombëtare e Inovacionit dhe Teknologjisë në Bujqësi dhe Blegtori, 28 qershor 2022

“Sot Shqipëria, meqë kemi dëgjuar dhe keni parë shumë, qumështi, falimentuan, iku, mbaruan, ikën lopët, vdiqën dhentë, Shqipëria sot prodhon 97% të qumështit që konsumon. Tani më thoni ku ikën?” – deklaroi në një konferencë dedikuar bujqësisë dhe blegtorisë Kryeministri Edi Rama një ditë pasi INSTAT kishte publikuar statistikat e blegtorisë për vitin 2021.

Kryeministri refuzon të pranojë se blegtoria në vend ka nisur ‘rënien e lirë’ dhe lopët janë pakësuar. Ai shfaqet mosbesues në publik ndaj shifrave të Institutit të Statistikave që si burim kanë Minitrinë e Bujqësisë. Po çfarë thotë INSTAT?

Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

Referuar shifrave zyrtare, 5 vitet e fundit numri i krerëve të blegtorisë ka rënë ndjeshëm. Konkretisht, në 2017 në vend numëroheshin 349 mijë lopë. Në fund të 2021 numri i tyre është pakësuar në 71 mijë.

Madje edhe Fieri, qarku me përqëndrimin më të lartë të blegtorisë, po përballet me rënien më të madhe të numrit të krerëve. Në fund të 2021 në Fier numërohen 38 mijë e 600 lopë nga 47 mijë e 700 që kanë qënë në 2018.

Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

Për të verfikuar situatën në terren, ne udhëtuam drejt fshatit Vajkan i Madh në Fier. Altin Kajo ka një fermë me 100 lopë. Në vitin 2018 u kthye nga Italia të investonte të gjitha kursimet në një fermë blegtorale duke vijuar zanatin e të atit që gjithë jetën është marrë me blegtori. Sot, Altini na tregon se po përpiqet që t’i shesë lopët dhe të kthehet sërish në Itali për të punuar në ndërtim.

Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

Ferma e blegtorit Altin Kajo në Vajkan të Madh

“Po dal me humbje për shkak të rritjes së kostove. Jam duke e lënë, me mendje për të ikur andej nga erdha. U ktheva nga Italia në 2018 si emigrant me lekë, tani do shkoj emigrant me borxhe, sepse mora kredi për ta rritur si biznes, mirëpo s’po ia dal dot. Do kthehem të punoj në ndërtim atje, sepse këtu nuk jetohet më.”- shprehet i penduar Altini duke shtuar se lopët do t’i shesë në fabrikat e përpunimit të mishit.

“Lopët që kam do t’i çoj në fabrikat e sallamit. Ata presin si hijenat. I bleva nga 2500 euro dhe tani do i shes me 1 milionë lekë të vjetra.”- thotë ai për Faktoje.

Për të pasur një panoramë më të qartë të ecurisë së sektorit, Faktoje kontaktoi me pronarët e disa prej fermave më të mëdha blegtorale në vend. Në Kashar, Bedri Dema me profesion agronom, ka pasur një nga fermat më të mëdha të cilës i ka vënë drynin tre muaj më parë.

“Ferma ime dikur ka numëruar 530 kokë lopë qumështi, sot nuk ka asnjë kokë. Ferma ka rreth tre muaj që është mbyllur. Ishte krejt e pamundur t’i mbaja pasi humbja ishte shumë e madhe. Me këto çmime të ushqimit duke përfshirë në tërësi si prodhim vendi e të jashtëm u bë e papërballushme. Nuk mund që të ndezësh zetorat dhe të punosh a korrësh apo mbledhësh me 260 lekë litrin e naftës.“- thekson z.Dema për Faktoje.

Bedriu kujton se në fillimet e tij fermën e ka vizituar edhe Kryeministri Edi Rama duke i premtuar mbështetje.

“Atëherë ishte më e madhja në Shqipëri. Në fund përfundova me 130 kokë nga 530 që kisha në vitin 2013, kur kisha për vizitë zotin Kryeministër. Sa për dijeni blegtoria ka pësuar ulje drastike të numrit të krerve. Kështu si është nisur me këtë rënie për 10 vjet s‘ka blegtori. Tjetër gjë nëse ndryshon mënyrat e subvencioneve, por e thënë troç ; blegtori pa ndihmën e shtetit nuk ka!“- thotë Dema.

Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

Ferma e lopëve të Bedri Demës në Kashar (viti 2019)

Ndonëse në 2019 Bedri Dema i kishtë përgjysmuar krerët e lopëve, sërish merrte vëmendjen e qeverisë dhe reklamohej si shembull suksesi në blegtori.

Edhe në Shijak, familja Rramilli zotëron një nga fermat më të mëdha blegtorale në vend. Bioferma Rramilli është një investim prej 3.5 milionë eurosh dhe në kohën më të mirë numëronte mbi 500 krerë lopë. Për shkak të një sëmundjeje, në fermë tani nuk ka më lopë, por bagëti të imta.

“Edhe ne mendojmë që ka rënie blegtoria. Mungesa e mbështetjes nga shteti dhe tregu i importit kanë ndikuar. Aktualisht ne e kemi kthyer në fermë me bagëti të imta. Kemi rreth 250 krerë. Në kohën më të mirë kemi pasur 560 lopë dhe deri para mbylljes, kishim 320 krerë. Në 2017 ra një sëmundje dhe u detyruam t‘i asgjesonim lopët. Ndonëse ligji parashikonte kompensim financiar për çdo lopë, Ministria e Bujqësisë vendosi të mos të na e jepte. Pas tre vitesh procese gjyqësore, fituam.“- thotë Andi Rramilli.

Ndërsa Florin Mandreu prej vitesh ka investuar në rrethinat e Lezhës në një fermë blegtorale me cikël të mbyllur. Ferma ‘Flori‘ me 400 krerë lopë është duke kaluar të njëjtat vështirësi si fermat e tjera blegtorale në vend.

“ Ne s’kemi as sitemin vaditës as atë kullues. Kosto e prodhimit është bërë shumë e shtrenjtë, si misri, si jonxha, si bari. Tjetra dhe më kryesorja është çmimi i naftës. Na del më lirë të marrim produktet nga Maqedonia sesa ta prodhojmë në Shqipëri. Unë marr jonxhën nga Maqedonia, vjen më lirë nga atje në Lezhë. Dhe duke dalë çdo herë me humbje, njerëzit thonë s’kemi më leverdi të merremi me këtë punë. Nëse vazhdon kështu, nëse nuk ka ndërhyrje, mbështetje nga qeveria atëherë do të dorëzohem edhe unë.“- shprehet Mandreu për Faktoje.

Vështirësitë duken më të mëdha për fermat me më pak lopë. Prej më shumë se një dekade, në fshatin Lumth në zonën e Lushnjes, Ilir Hajredini së bashku me tre anetarët e tjerë të familjes i janë dedikuar blegtorisë.

“Unë vazhdoj të kem 25 lopët që kisha, po në përgjithësi në zonën tonë numri është pakësuar shumë këtë vit. Ka rënë shumë norma e fitimit e jona pasi janë rritur shumë shpenzimet dhe për fatin tonë të keq s’po na ndihmon as zoti, se qeveria jo e jo.“ – thotë Hajredini për Faktoje duke shtuar se disa bashkëfshatarë të tij e kanë braktisur blegtorinë për shkak të vështirësive.

“Vetëm në lagjen time janë tre-katër fermerë që merreshin me blegtori që i kanë shitur lopët tek fabrikat e sallamit dhe kanë ikur në emigracion Greqi dhe Itali. Dhe kjo punë do shkojë më keq. Këtë vit edhe unë e kam ndjerë shumë vështirësinë, më shumë se vitet e tjera.“- thekson Hajredini.

Faktoje kontaktoi edhe me disa ekspertë të fushës së blegtorisë. Ndoc Fasllia thotë se shifrat e publikuara nga INSTAT nuk duhet të vihen në diskutim, ndërkohë që shton se blegtoria ka nisur ciklin rënës për shkak të mungesës së mbështetjes.

“Pavarësisht propagandës që bën qeveria, treguesi më domethënës, janë importet e produkteve bujqësore dhe blegtorale të cilat në 6-7 vitet e fundit janë rritur me afro 50 %. Në një vend si Shqipëria, ku popullsia rezidente në vend, në 6-7 vitet e fundit është pakësuar me gati 350 mijë individë, pra numri i konsumatorve është ulur, importet e ushqimeve vazhdojnë të rriten….!!!  Pse ndodh kjo? Sepse është pakësuar prodhimi vendas, si rezultat i uljes së numrit të krerëve, por edhe si rezultat i braktisjes së fshatrave.“- thotë Fasllia.

Eduard Sharka, Kryetar i Shoqatës së fermerëve thotë se situata ishte e pritshme dhe për këtë fajëson qeverinë për politika të gabuara fiskale në sektorin e blegtorisë.

“Blegtoria ka qënë në vështirësi dhe shkaku kryesor i rënies së numrit të krerëve janë politikat e gabuara fiskale. Një tjetër arsye janë dhe subvencionet, skemat janë diskriminuese. Rënia nisi në 2018 dhe këtë e tregojnë dhe shifrat e INSTAT-it. Tani goditjen përfundimtare ia dha trefishimi i inputeve bujqësore dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.”- thekson Sharka duke hedhur poshtë edhe argumentin e kryeministrit Rama se 97% e qumështit për konsum prodhohet në vend.

“Është propogandë, sepse kur thotë 97% ai nuk fut në llogari as qumështin pluhur që hyn në Shqipëri çdo vit, as njerëzit që kanë ikur nga ky vend. Dhe ai e quan prodhim vendi, qumështin që del nga fabrikat dhe që përdorin qumështin pluhur.”- shton Sharka për Faktoje.

Edhe Ervin Resuli mbështet të njëjtin argument.

“Shqipëria nuk plotëson 97% të nevojave të saj me qumësht. Nëse kemi 1 milionë ton qumësht dhe gati një pjesë dërrmuese e këtij qumështi na vjen nga importi, atëherë normalisht Shqipëria duke qënë se fut gati 40% të totalit të qumështit nga jashtë do të thotë se kjo shifra 97% rrëzohet.”- argumenton Resuli.

Për vëshitrësi ankohen edhe fabrikat e përpunimit të qumështit. Por ndryshe nga fermerët këto të fundit vijonë të regjistrojnë fitime. Të dhënat e përpunuara nga Faktoje tregojnë se fitimi i tyre nuk është ndikuar nga skema e ndryshuar e TVSH-së në 2019.

Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, ku ikën lopët?

Burimi Qendra Kombëtare e Biznesit

Në muajin mars, Faktoje ka denoncuar rritjen e importit të qumështit të lëngshëm dhe atij pluhur në fund të 2021. Ekspertët ngritën alarmin se tregu shqiptar po dominohet nga qumështi i importuar për shkak të skemës së re të TVSH-së që u miratua në 2019 dhe po penalizon prodhimin vendas.

https://faktoje.al/fermeret-vendas-nuk-eksportojne-qumesht-ndersa-tregun-shqiptar-e-dominon-qumeshti-i-importuar-nga-serbia/

7 Komente

  1. k
    kemi kafshe te tjera plot

    cna duhen lopet ne.kemi keta derrat e pushtetit dhe te opozites qe shtohen e shumohen me ritme te larta.gjermanet duhet te vijne ketu te mbrojne doktoratura me derrat tane.

    Përgjigjjuni
    1. g
      gramozi

      Rrofte ministria e buqesise kjo ministri qe askush nuk e di se per cfar paguhet...

      Përgjigjjuni
      1. N
        Na myten

        Fresku qe i ka bërë Mero keto 10 vjet ia ka ftohur trutë Timonierit. Bëji fresk Lalit tani Mero se ai e çon 100%.

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mal Cori

          Sepse subvencionet nuk i marin bujqit e blegtorët, por miqtë e drejtorëve të bujqësisë........ . I marin bosat që ngrenë frigoriferët gjoja për grumbullim prodhimesh bujqësore, por që importojmë banane, në fakt drogë nga Kolumbia.......... . I marin disa bosa që gjoja mbjellin hektarë me vreshta, duke futur në tokë disa shkopinjë hardhie, dhe që pas një viti i shkulin duke thënë se fidanë na i kanë vjedhur. Ndërkohë 500 milion lekë i fusin në xhep sigurisht duke i dhënë pjesën edhe drejtorit i cili e ndihmoi të mernin subvencion....

          Përgjigjjuni
          1. ?
            ????????????????????????

            ne na kan hudhehequr maskarenjt edhe po na hudheqin. ka 30 vjet palacot na hudheheqin

            Përgjigjjuni
            1. B
              Bujar Kanapari

              E keqja eshte, se numri lopeve do te vazhdoje te ulet per shkak te kostos se larte te mbareshtimit dhe cmimit te ulet te qumeshtit qe grumbullohet nga fabrikat e perpunimit. Me rritjen e cmimit te naftes dhe plehrave kimike, fermat blegtorale do te falimentojne, ne rast se nuk rritet cmimi i qumeshtit, nderkohe, cmimi i mishit eshte me i arsyeshem. C'fare mund te presim ne, kur kryeministri del e thote, se nuk ka qene numri i lopeve ne vitin 2013 aq sa eshte deklaruar. Duke qene dhe i profesionit, njoh dhe terrenin, komunikojme dhe me specialiste tjere, mund te them, se ne disa fshatra, numri i lopeve ka rene me shume se 4 here. Renia e numrit te lopeve, deleve dhe dhive, ka rene edhe per shkak te emigrimit te larte te popullsise keto vitet e fundit, por renia e numrit te lopeve eshte disa here me i larte se emigrimi popullsise. Kryeministrit do ti them, se ne vitin 2011, eshte bere Regjistrimi Popullsise, ku numerohen dhe lopet. Fshataret, ose japin numrin e sakte te bagetive, ose japin nje numer me te vogel; kane 5 krere, thote 4 ose 3. Ne asnje rast nuk ndodh qe te kete 5 krere lope dhe te thote kam 6 ose 7 krere. Duhet ti besosh numrit te lopeve qe ka rezultuar nga Regjistrimi Popullsise Tetor 2011.

              Përgjigjjuni
              1. E
                Emil

                Nje artikull qe eshte sa nje carcaf dhe bazohet vetem ne disa intervista dhe shifra qe as nuk analizohen fare nga gazetarja. Keto jane disa pohime nga te intervistuarit: 1) "Dhe ai e quan prodhim vendi, qumështin që del nga fabrikat dhe që përdorin qumështin pluhur.” 2) Nëse kemi 1 milionë ton qumësht dhe gati një pjesë dërrmuese e këtij qumështi na vjen nga importi 3) Mungesa e mbështetjes nga shteti dhe tregu i importit kanë ndikuar 4) Lopeve u ra semundja ne 2017 5) Asnje shifer nga 2022 dhe flitet per naften 2600 Leke Une nuk e ve ne dyshim uljen e numrit. Por jane gjithmone arsye ekonomike. Nga gazetarja asnje kerkim te pakten nga doganat, ose ministria e bujqesise per ta mbeshtetur me argumenta dhe fakte. Mire thone gazetare nga kolltuku. Vetem meren me opinione. Te gjithe jane te mendimit qe vetem me subvencione mbahet blegtoria. Te gjithe duhet ta dine se cdo fushe nuk do mbahet me subvencione. Se nga diku do te vine paret. Te gjithe duhet ta dine se ne ekonomine e tregut do falimentojne firma (qofshin edhe ato te blegtorise). Nuk ka rendesi se ai ne krye quhet Edi, Tosi, Sala apo Liri. Nje keshille kur te hapni firma mos u nisni nga subvencionet. Se dhe Zvicra i ka por ka nje industri qe i mbulon ato. Ndersa ke ne dhe industria kerkon te subvencionohet. Qe Edi ja ka fut kot me 97% eshte e gabuar. Por te beshe nje artikull te tere per te thene qe falian e ka Edi (neser Saliu) eshte budallek. Por per sa kohe qe ska shtet, arsimim dhe konsumi nga renia e popullsise do bjere ne nje vrime do ti bihet fyellit: Na jepni subvencione Edhe nje keshille te fundit per ata qe hapin firme vetem se marin subvencione: Me mire mos i hapni, sepse qeverite gjithmone do ti ndryshojne politikat e subvencioneve sipas politikave per te mbajtur ose fituar pushtetin. Dhe mos mendoni se politikat qeveritare te kujtdo partie do ju zgjidhin problemet ekonomike.

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje