Të rinjtë ankohen tek ndërkombëtarët: “Komisioneri për të drejtën e informimit nuk ju pergjigjet!”

2 Dhjetor 2024, 19:19Sociale TEMA

Të rinjtë ankohen tek ndërkombëtarët:

Organizata rinore ATC ka bërë ankesë tek selitë kryesore të ndërkombëtarëve në Shqipëri, për institucionin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ata i kanë shkruar zyrave të BE-së, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, duke i prezantuar raste, kur ky institucion nuk u ka dhënë informacionin e kërkuar, apo që në shkelje të ligjit ka favorizuar një agjenci shtetërore.

Të rinjtë i janë referuar një fakti konkret, ku që prej muajit tetor 2024 dhe në vijim nuk kanë marrë informacionin e kërkuar nga Komisioneri, megjithëse kanë aplikuar sipas standardit ligjor. Kërkesa e tyre për informacion ishte se, në sa raste ankesash Komisioneri nuk kishte marrë vendim, (i kishte kaluar me heshtje), pavarësisht se i kishte shqyrtuar ankesat.
“Institucioni i Komisionerit më datë 06.11.2024 na dërgon një email shumë të gjatë, ku ishin renditur aspekte që as nuk i kishim kërkuar dhe as nuk kishim asnjë interes” - thuhej mes të tjerave në letrën e organizatës rinore.

Të rinjtë kanë përmendur dhe një fakt tjetër në letër, kur institucioni Komisionerit nuk ka zbatuar ligjin, duke fazorizuar hapur Agjencinë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve. Kjo agjenci refuzoi të japë informacion për një subjekt që ka aplikuar për të marrë informacion sipas ligjit, po ashtu, nuk kishte në funksion “Program Transparencën” në shërbim të publikut.

E drejta e informimit në Shqipëri ka kuadër ligjor shumë të avancuar, thuajse njësoj si në vendet anëtare të BE-së. Por fatkeqësisht zbatimi konkret mbetet akoma problematik. Zbatueshmëria në nivel të ulët e legjislacionit për të drejtën e informimit ishte sërish një nga problemet serioze që prekte edhe Progres-Raporti i Komisionit Evropian, që u publikua javët e fundit.

Lini një Përgjigje