VIDEO/ Genta Sula: Ju rrëfej udhëtimin e dhimbjes në kërkim të eshtrave të gjyshit të vrarë në diktaturë

11 Dhjetor 2025, 16:00Sociale TEMA
VIDEO/ Genta Sula: Ju rrëfej udhëtimin e dhimbjes në kërkim

Ishte një udhëtim drejt Burrelit që, për shkak të detyrës, da ta çonte drejt e te muzeu i burgut famëkeq. Por për Gentën, drejtuesen e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ai udhëtim nuk ishte thjesht institucional. Ishte një kthim në plagën që familja e saj mbart prej dekadash. Aty, në ato qeli të errëta që përtypin histori dhimbjeje, kishte dhënë shpirt gjyshi i saj, i torturuar deri në vdekje nga regjimi komunist.

Menjëherë pas rrënies së diktaturës, babai i Gentës nisi kalvarin e kërkimeve për eshtrat e të atit. Vite zhgënjimesh, pritjesh, dyersh që nuk hapeshin. Megjithatë, asnjë gjurmë. Asnjë shenjë e njeriut të zhdukur. Ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë të ekzekutuar e të tretur nëpër varre anonime, edhe ai mbetet i pagjetur sot e kësaj dite.Misionin që babai i saj nuk arriti ta çonte deri në fund, Genta e ka marrë përsipër jo vetëm për gjyshin e vet, por për mijëra shqiptarë të tjerë të vrarë padrejtwsisht nga shtetit I tyre, vetwm se mendonin ndryshe.

Në arkivat e Sigurimit, ajo ka gjetur gjurmët e gjyshit dhe një pjesë të së vërtetës qw nuk njihej prej saj dhe familjarwve. Mes detajeve të dhimbshme, veçon figurën e avokatit Dilo, njeriu që pati guximin ta mbronte gjyshin në gjyq dhe më pas përfundoi vetë në të njëjtin kalvar burgjesh.

Në dosje, Genta ka gjetur edhe emrat e atyre që spiunuan gjyshin, fragmente të një mekanizmi dhune që e ktheu vendin në një makineri heshtjeje e frike.

Në një intervistë për TemA, ajo rrëfen këto momente, të mbushura me emocion dhe peshë, duke sjellë në vëmendje jo thjesht dramën e familjes së saj, por një histori të përbashkët kombëtare, dhimbjen e mijëra familjeve shqiptare që ende presin një varr, një emër, një të vërtetë.