VIDEO/ Psikologia Telhaj: Fëmijët nuk kanë nevojë për prindër perfektë, por për prani dhe siguri

28 Shtator 2025, 14:02Sociale TEMA
VIDEO/ Psikologia Telhaj: Fëmijët nuk kanë nevojë për

Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, psikologia dhe psikoterapistja Valentina Telhaj solli një reflektim mbi dallimet kulturore në mënyrën si shoqëritë kujdesen për njerëzit e tyre.

Duke kujtuar një paciente shqiptare që jetonte në një vend nordik dhe punonte në sistemin shëndetësor atje, Telhaj tregoi se si pacientja rrëfente se kur një shqiptar shtrohej në spital, tek dera e pavionit shfaqeshin dhjetë vetë për ta vizituar, ndërsa kur shtrohej një pacient nga një shtet tjetër i Europës perëndimore, nuk vinte thuajse askush për ta vizituar. Ajo e quajti këtë fenomen si “sindroma e Mesdheut” — një prirje për të qenë të rrethuar nga familja, dashuria dhe përkujdesja. Edhe pse ndonjëherë shihet si teprim, Telhaj theksoi se kjo ka anën e vet pozitive, sepse të qenit i mbështetur emocionalisht ndihmon në zhvillimin më të shëndetshëm të individit.

Diskutimi solli edhe kontrastin me kulturat më “perëndimore”, ku prindër e fëmijë shpesh mbajnë marrëdhënie të ftohta e të distancuara. Sipas Telhajt, kjo distancë reflektohet në mënyrën si trajtohen emocionet dhe si përballohen situatat e vështira, ku prania e familjarëve apo të afërmve shpesh mungon.

“Rëndësi ka procesi — sa prezent je ti në momentin kur individi ka më shumë nevojë. Kjo është ajo që mbetet,” u shpreh Telhaj, duke paralajmëruar se në rrugëtimin tonë drejt të qenit më “të civilizuar” apo më “perëndimorë”, rrezikojmë të humbasim pikërisht atë që na bën më njerëzorë: afërsinë emocionale dhe mbështetjen e pakushtëzuar të familjes.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:

"Neglizhenca lë plagë më të thella se dhuna fizike te fëmijët" | Valentina Telhaj | Apostrof #37

Blog Tema