VIDEO/ Psikologia Telhaj: Neglizhenca lë plagë më të thella se dhuna fizike te fëmijët

26 Shtator 2025, 17:21Sociale TEMA
VIDEO/ Psikologia Telhaj: Neglizhenca lë plagë më të thella

Neglizhenca lë plagë më të thella se dhuna fizike,” – kështu shprehet Valentina Telhaj, psikologe, psikoterapiste dhe psikologe ligjore, e cila prej vitesh punon me fëmijë dhe adoleshentë. Për të, nuk është gjithmonë dhuna fizike ajo që shkatërron më shumë, por mungesa e kujdesit, e vëmendjes dhe e dashurisë. Një fëmijë i padëgjuar dhe i papranuar rrezikon të rritet me plagë që shoqëria shpesh as nuk i sheh.

Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, Telhaj ndalet tek mënyrat e padukshme me të cilat përjashtimi social e gërryen një fëmijë: një klasë që nuk të do në grup, një mësues që të etiketon si “problem” ose thjesht mungesa e një figure që të kupton. Ajo sjell përvojën e saj me të rinj, të cilët e shohin sjelljen apo qasjen agresive si një mënyrë për t'u vetëmbrojtur, duke thënë: “E bëra këtë gjë për t’u vetëmbrojtur” ose “Reagova kështu sepse në shtëpi gjithmonë ndodhte njësoj.” Pas këtyre fjalive fshihet një zonë e errët, ku dhuna nuk është domosdoshmërisht arsyeja, por pasqyra e një bote të braktisur.

Sipas Telhajt, shpesh ata që shihen si fëmijë problematikë nuk janë ata që bërtasin më fort, por ata që heshtin, ulen në cep dhe nuk ndihen. Një fëmijë i papranuar dhe i përjashtuar mund të jetë shumë më i rrezikuar sesa ai që shfaq hapur revoltën e tij.