VIDEO/ Traumat e padukshme dhe rëndësia e atashimit të sigurt, psikologia Telhaj: Neglizhenca lë plagë më të thella se dhuna fizike te fëmijët

28 Shtator 2025, 17:00Sociale TEMA
VIDEO/ Traumat e padukshme dhe rëndësia e atashimit të sigurt,

Shpesh kur flasim për dhunën, i referohemi asaj si një akt i dukshëm fizik, që lë plagë të thella te fëmijët. Por, siç vëren Valentina Telhaj - psikologe ligjore dhe psikoterapiste - ekziston një formë tjetër dhune, më e heshtur dhe shpesh më e dëmshme: neglizhenca. Një fëmijë i padëgjuar, i papranuar, i përjashtuar nga grupi apo i lënë pa vëmendjen e duhur, mbart plagë që nuk shihen, por që shpesh janë më të rënda se çdo shenjë fizike.

Në episodin e 37-të të Apostrof Podcast, Telhaj flet për mitin e “fëmijëve të këqinj”, një etiketë që i zhvesh fëmijët nga historitë e tyre reale. Ajo thotë se pas qsjes agresive, apo rebelimit, fshihet një nevojë e pashprehur: dëshira për të qenë i pranuar, për të qenë i dashur, për të pasur dikë që e dëgjon. Nuk është krimi i madh që e shënjon adoleshentin, por mungesa e pranisë prindërore dhe boshllëqet emocionale që shoqëria i lë pas dore.

Telhaj kujton edhe dallimet mes kulturave: në vendet mesdhetare, ku prania e familjes është e dendur dhe ndonjëherë e tepruar, fëmija rritet i rrethuar nga dashuria dhe kujdesi. Ndërsa në kulturat më “perëndimore”, ku marrëdhëniet shpesh reduktohen në distancë dhe formalitet, rriten fëmijë të ftohtë ndaj emocioneve, të mësuar të mos kërkojnë ndihmë, e në fund të mbeten vetëm. Dhe këtu shfaqet një dilemë e madhe për shoqërinë tonë: ndërsa përpiqemi të bëhemi “më modernë” apo “më civilë”, a rrezikojmë të humbasim pikërisht atë që na ka bërë të qëndrueshëm?

Në thelb, mesazhi i saj është i qartë: atashimi i sigurt është baza e shëndetit emocional. Nuk kërkohen prindër perfektë, por prindër të pranishëm; jo dhurata të shtrenjta, por kohë e shpenzuar në mënyrë cilësore; jo fjalë të shumta, por prani në momentet kur fëmija ka më shumë nevojë.

 

Blog Tema