200 mijë euro gjobë për Kombëtaren dhe 20% e stadiumit bosh: Koha për tolerancë zero ndaj sjelljeve të dëmshme të tifozëve

7 Shtator 2025, 13:27Sport TEMA
200 mijë euro gjobë për Kombëtaren dhe 20% e stadiumit bosh:

Nga Ilir Demalia

Në prag të ndeshjes me Letoninë më 9 shtator 2025, për eliminatoret e Kampionatit Botëror “USA–Canada–Mexico 2026”, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është ndëshkuar nga UEFA me një gjobë të majme prej 200 mijë euro dhe me detyrimin që 20% e ulëseve në “Air Albania Stadium” të mbeten bosh.


Kjo masë ndëshkuese është pasojë direkte e sjelljeve të papranueshme të një pjese të tifozërisë gjatë ndeshjes kundër Andorrës, ku u dëgjuan thirrje me përmbajtje urrejtjeje nacionale ndaj Serbisë, si dhe u hodhën sende në fushë – një sjellje që UEFA e dënon rreptësisht.


Kur nacionalizmi i rremë dëmton Kombëtaren


Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë. Vetëm në katër vitet e fundit, FSHF-ja ka paguar mbi 2 milionë euro gjoba si rezultat i sjelljeve të papërgjegjshme të një grupi të vogël, por zhurmshëm destruktiv, tifozësh që vetëquhen “kuq e zi”, por me veprimet e tyre përfaqësojnë vetëm anën e errët të tifozerisë shqiptare.


Këta individë nuk përfaqësojnë aspak shpirtin patriotik dhe përkrahës të Kombëtares. Përkundrazi, përmes thirrjeve primitive, fjalorit rrugaçëror dhe veprimeve të turpshme, ata jo vetëm që njollosin fanellën kuqezi dhe flamurin tonë kombëtar, por edhe i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë zhvillimit të futbollit shqiptar.

Paratë që sot përdoren për të paguar gjoba, mund e duhej të përdoreshin për:

•Ndërtimin dhe përmirësimin e terreneve sportive,

•Mbështetjen e ekipeve zinxhir të të rinjve,

•Investime në trajnimet për trajnerët dhe gjyqtarët,

•Projekte sociale për përfshirjen e komuniteteve në sport.


Fyerje personale dhe llum moral në tribunat shqiptare


Situata ka degraduar edhe më tej. Në vend që të mbështesin ekipin dhe të krijojnë atmosferë sportive dhe festive, një pjesë e tifozëve përdor tribunat për të sharë dhe fyer në mënyrë banale, shpesh me sulme personale dhe ofendime ndaj drejtuesve të FSHF-së, me një gjuhë që s’mund të përshkruhet ndryshe veçse si “llum moral”.

Këto skena ndodhin në një ambient ku ndodhen fëmijë, vajza të mitura, familje, gra dhe burra që vijnë për të përkrahur skuadrën e zemrës, jo për të dëgjuar banalitetet e turpshme të disa individëve që nuk kanë asnjë lidhje me sportin, përveçse dëshirës për kaos dhe dhunë verbale.

Koha për të ndërhyrë: Tolerancë zero


Është e qartë se kupa është mbushur. Jo vetëm që ka ardhur koha, por ajo ka kaluar prej kohësh, për të ndërmarrë masa të rrepta ndaj kësaj kategorie tifozësh. FSHF-ja, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, duhet të zbatojë të njëjtat standarde që aplikohen nga federatat serioze europiane:

•Identifikim dhe ndëshkim individual për çdo person që shkel rregullat e sjelljes në stadium,

•Përjashtim i përjetshëm nga stadiumet për ata që përsërisin thirrje urrejtjeje apo dhunë,

•Gjobitje dhe ndjekje penale për fyerje publike dhe veprime që rrezikojnë rendin dhe sigurinë në ndeshje.


Për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, nuk mjafton vetëm përmbushja e kritereve politike dhe ekonomike. Duhet të tregojmë se jemi europianë edhe në sjellje, kulturë sportive dhe respekt për të tjerët, brenda dhe jashtë fushës.

Ftesë për tifozët e vërtetë

 


Ndeshja kundër Letonisë është një mundësi e re për të treguar anën më të bukur të tifozërisë shqiptare. Le të jemi zëri i përkrahjes, jo i urrejtjes. Le të tregojmë se dimë të jemi të zjarrtë, por të qytetëruar. Kombëtarja ka nevojë për energjinë tonë pozitive, jo për gjoba dhe tribuna të shndërruara në turp kombëtar.

 


Urojmë që Kombëtarja të arrijë një fitore të madhe, me një lojë të bukur dhe korrekte, dhe mbi të gjitha, me një ambient të denjë për futbollin shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët që e duan sportin dhe vendin e tyre.

4 Komente

  1. L
    Leo

    Nje pyetje kam une per fqinjet tane veriore (Kosovaret)? Pse nuk shani Serbine ne stadjumet tuaja, po vini ketu ne prishni pune? Per borxh ja u kemi?

    Përgjigjjuni
    1. j
      joti

      Në përgjithësi tifozët janë idjotë,dhe federata ka gabime të rënda sepse në stadjum me foni këndohen këngë provokuese si ajo e Adem Jasharit që nuk ka asnjë kuptim sidomos kur luhet me Serbinë.

      Përgjigjjuni
      1. L
        Leo

        Na cmenden ato kenget e shpifura "Morra fjale" si te fandaksur.

        Përgjigjjuni
      2. D
        Dallkauku

        O Syco, parate qe paguhen per gjoba kompensohen me parate qe fitohen nga bastet (si psh ndeshja me Gjibraltarin). Dhe mos na trego peralla me investime ne terrene sportive, se ti e di mire qe shumica e fushave te futbollit te Tiranes jane zene me kulla. Madje dhe stadiumin e ke unik dhe me nje alamet kulle-hotel

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje