Nga kjo verë, portierëve do t’u lejohen 8 sekonda nga momenti i kapjes së topit deri te rivënia e tij në lojë.
Kjo është përpjekja më e fundit e autoriteteve rregullatorë për të ulur në maksimum në humbjen e kohës.
Rezultatet pozitive në provat e zhvilluara në Angli, Itali dhe Maltë kanë nxitur Bordin Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB), të ndryshojnë rregullin duke filluar nga sezoni 2025-26.
Ku do të zbatohet ky rregull?
Ky rregull do të zbatohet në mbarë botën nga 1 korriku, në të gjitha nivelet e lojës, nga elita deri te futbolli amator. Do të jetë në fuqi edhe për Kupën e Botës për Klube, e cila do të zhvillohet nga 15 qershori deri më 13 korrik.
Si do të ndëshkohen portierët?
Nëse portierët e mbajnë topin për më shumë se 8 sekonda, gjyqtarët do t’i ndëshkojnë duke dhënë një goditje nga këndi për kundërshtarët.
Si do ta sinjalizojnë gjyqtarët?
Kur portieri të ketë edhe 5 sekonda të mbetura për të hedhur topin, arbitri do ta paralajmërojë duke ngritur krahun dhe duke filluar një numërim vizual me dorë.
Çfarë ka thënë IFAB për ndryshimin e rregullit?
Gjatë provave, IFAB raportoi se kishte vetëm katër raste kur portierët u ndëshkuan në qindra ndeshje, edhe pse rregulli u zbatua rreptësisht.
Drejtori teknik i IFAB-it dhe ish-arbitri i Premier League, David Elleray, i tha The Times: “Ndryshimet e mira të rregullave janë ato ku ke një ndëshkim shumë të fortë, që të gjithë e zbatojnë, dhe problemi praktikisht zhduket. Nëse kjo e përshpejton lojën, e bën më pozitive, atëherë mund të jetë një nga ato masa ndëshkuese shumë efektive”.
Çfarë mund të presim?
Më shumë goditje nga këndi, të paktën në fillim të sezonit. Trajnerët e specializuar për goditjet standarde do të marrin edhe më shumë vëmendje.
Ndëshkime të hershme. Rregullat e reja zakonisht zbatohen rreptësisht në fillim – mjafton të pyesni Declan Rice dhe Leandro Trossard, të cilët morën kartonë të dytë të verdhë këtë sezon për vonesa në rifillimin e lojës.
Numërimi sarkastik nga tifozët kur portieri kundërshtar kap topin.
Ndërhyrje nga lojtarët. Në minutat e fundit të një ndeshjeje kur një ekip është në disavantazh dhe portieri e mban topin, lojtarët do t’i kërkojnë arbitrit të numërojë më shpejt… ose do ta bëjnë vetë!
A ka statistika mbi vonesat e portierëve?
Fatkeqësisht, Opta nuk ka statistika për këtë “art të errët” – por çdo tifoz që sheh rregullisht futboll mund të dallojë një portier që kap topin dhe bie në tokë me lëvizje teatrale.
Po mire kur portieri ka kapur topin dhe eshte i shtrire ne toke, qe aty fillon numurimi i 8 sekondave? te pakten i duhet 3-4 sekonda per tu ngritur. Po nese i bie topi nga dora dhe e kap prape vazhdojne sekondat? Cfare tmeri! Po te pakten bejeni 12 sekonda.