Altin Lala: Silvinjo zgjedhja e duhur, Shqipëria ka një grup cilësor

15 Mars 2023, 17:57Sport TEMA

Altin Lala: Silvinjo zgjedhja e duhur, Shqipëria ka një grup

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Altin Lala ka folur në emisionin “Ti Bo Gol” në Oversport ku ka analizuar kampionatin shqiptar si dhe kombëtaren kuqezi, pas ardhjes së trajnerit të ri Silvinjo.

“E ndjek vazhdimisht kampionatin shqiptar në Oversport dhe Tibo, sepse jam abonent i kësaj platforme. Kampionati është shumë interesant, si pjesa e lartë e renditjes edhe pjesa poshtë ka shumë rivalitet. Ka një luftë të ashpër, skuadrat janë pranë njëra-tjetrës. Kampionati është i hapur dhe në përgjithësi është shumë interesant.

Ka vend për të përmirësuar shumë gjëra në kampionat, kjo duket qartë kur skuadrat dalin në kupat e Europës. Transferimet e lojtarëve në Europë tregon që ka cilësi në kampionat. Infrastruktura është përmirësuar ndjeshëm. Mendoj që agresiviteti në lojë, presingu apo ana fizike ka vend për përmirësim. Ritmi i lojës nuk është në nivelin e duhur për mendimin tim.

Kombëtarja? Mendoj që Silvinjo është trajneri i duhur për Shqipërinë. Është i përkushtuar, ka bagazh, duket njeri pozitiv, stafin e ka shumë të mirë. Duhet ti japim kohën e duhur dhe të shohim rezultatet. Kam shpresë që ky trajner do të çojë një nivel më lart kombëtaren. Mendoj që do të kemi rezultate, sepse duhej një frymë e re dhe mendoj që është njeriu i duhur. Unë kam bërë një eksperiencë të shkurtër si trajner, por nuk mendoj se bëj për këtë profesion.

Trajneri duhet të njohë skuadrën sa më shpejt, që të krijojë idenë e tij se me çfarë lojtarësh do të luajë. Lojtarët duhet të aktivizohen me klubet respektive, që të japin më të mirën në kombëtare. Mendoj që kemi brum, kemi lojtarë cilësorë. Trajneri bën detyrat në stërvitje, jashtë fushe, por në fushë luajnë lojtarët. Kemi shumë lojtarë të talentuar, në të gjitha repartet. Broja, Asllani, Bare apo Kumbulla janë të gjithë lojtarë shumë të mirë. Na mungon vendosmëria deri në fund, duhet të kemi një grup të mirë, të luftojmë në fushë dhe të hapin gjithçka për ekipin. Çdo gjë është e mundur me punë. Kombëtarja juaj apo aktualja me cilësore? Sigurish që kombëtarja jonë (qesh). Futbolli zhvillohet dita-ditës. Kur shoh ndeshje të vjetra më duken jo aq të mira. Mendoj që tani ka më shumë kualitet se ne kohën tonë. Nuk mund të krahasosh dy ekipet, secili ka patur kohën e vet, por edhe kombëtarja jonë nuk ka qenë e keqe”, ka thënë mes të tjerash Lala. /

Lini një Përgjigje