Duka i ofron kontratë të re Sylvinho-s: Synimi kryesor është kualifikimi në Botëror

16 Maj 2024, 12:05Sport TEMA
Duka i ofron kontratë të re Sylvinho-s: Synimi kryesor është

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, gjatë një interviste me gazetarin Blendi Fevziu, në “Tv Klan”, ka zbuluar se organizata që ai drejton i ka ofruar një kontratë të re dyvjeçare trajnerit Sylvinho.

Sylvinho aktualisht ka kontratë me Shqipërinë deri në fund të Kampionatit Evropian, Euro 2024. Dhe, ecuria e mirë e kuqezinjëve ka bërë që FSHF-ja t’i ofrojë kontratë të re brazilianit, i natyralizuar në shqiptar tashmë.

50-vjeçari u vendos ne krye te stolit te Shqiperise ne fillim te vitit 2023 duke pasuar Edy Reja-n, pas nje ecurie teper negative te kuqezinjeve.

Në total, deri më tani, Sylvinho ka drejtuar Shqipërinë në 11 ndeshje (tetë zyrtare dhe tre miqësore).

Gjatë kësaj ecurine, Shqipëria e drejtuar nga Sylvinho ka arritur një fushatë kualifikuese për në Euro 2024 të jashtëzakonshme, me katër fitore, tre barazime dhe një humbje. Vendi i parë në gurpin kualifikues përkatës, para Çekisë dhe Polonisë.

Falë kësaj ecurie, FSHF-ja është bindur për t’i ofruar trajnerit kontratën e re dyvjeçare, me fokus kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

“Ne jemi të kënaqur me atë çfarë ka bërë trajneri Sylvinho dhe i kemi ofruar rinovimin e kontratës për dy vite të tjera, synimi kryesor është kualifikimi në Botëror”, tha kreu i FSHF-së, Duka.

Megjithatë, duket se për momentin Sylvinho e ka mendjen te Euro 2024 dhe ende nuk ka firmosur.

Shqipëria është shortuar si pjesë e Grupit B në Euro 2024, së bashku me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.

Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e “Signal Iduna Park” të Borussia Dortmund-it, ndërsa më 19 qershor do të përballet me Kroacinë në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshja e fundit e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena”.

Turneu final i UEFA Euro 2024 është planifikuar të zhvillohet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024.

Si vendi pritës, Gjermania është vendosur në Grupin A dhe do të zërë pozitën A1. Prandaj ata do të luajnë në ndeshjen hapëse në “Allianz Arena” të premten më 14 qershor ndaj Skocisë.

 

Lini një Përgjigje