Forma e dobët te Tirana, Refik Halili nuk paguan prej disa muaj lojtarët

6 Nëntor 2024, 11:25Sport TEMA
Forma e dobët te Tirana, Refik Halili nuk paguan prej disa muaj

Në mungesë të rezultateve në fushë në një skuadër futbolli kërkohet gjithnjë ndryshimi dhe zakonisht ndodh që të ndryshohet pankina. Me vendin e shtatë në renditje me 11 pikë, po aq sa Laçi i vendit të parafundit, klubi i Tiranës vendosi të shkarkojë trajnerin Bledi Shkëmbi.

Tekniku e mori ekipi që para nisjes së zezonit dhe pati vështirësi në 12 javë duke marrë vetëm një fitore, tetë barazime dhe tri humbje.


Në fakt ka qenë detyrë e vështirë për Shkëmbin, që kishte të bënte me një skuadër të re, lojtarë që nuk kishin luajtur me herët me njëri-tjetrin dhe që shpresohej që gjatë rrjedhës së kampionatit të formonin një ekip.

Edhe mungesa e luajtjes së ndeshjeve në kryeqytet, pranë tifozerisë ka ndikuar së tepërmi. Fusha e “Selman Stërmasi” është në kushte të papërshtatshme për të zhvilluar ndeshje futbolli.

Tjetër faktor që duket se ka ndikuar në rezultatet e ekipit është edhe mungesa e përqendrimit të lojtarëve, si pasojë e situatës jo të mirë financiare të klubit. Burime pranë futbollistëve pohojnë se klubi ka ndaj tyre rreth 3 ose 4 muaj paga të prapambetura. Në këto kushte, pasiguria financiare është reflektuar në fushën e lojës.


Kjo e bën edhe më të vështirë situatën për stafin pasardhës që do i duhet të përballen me faktorin psikologjik, kushtet financiare dhe mungesën e një stadiumi, për të luajtur ndeshjet që duhet të luheshin në “Selman Stërmasi”.

Lini një Përgjigje