Ia vunë fajin Asllanit dhe shokëve të tij, “Gazzetta Dello Sport” tall Interin: Po sikur ishin ata problemi?

17 Shtator 2025, 13:29Sport TEMA
Ia vunë fajin Asllanit dhe shokëve të tij, “Gazzetta Dello

Interi ka bërë një “spastrim” të vogël gjatë kësaj vere duke larguar lojtarë të cilët nuk shiheshin si thelbësorë në planet e klubit nën drejtimin e Kivu dhe mendohej se nuk ishin në lartësinë e duhur për zikaltrit. Në klubin milanez, lëvizje të tilla me largimin e emrave si Asllani, Zalevski, Pavard apo Taremi, u argumentua se klubi po bënte një hap para duke afruar zëvendësues të një cilësie më të lartë.

Po ndërsa Interi e ka nisur si mos më keq këtë edicion në Serinë A, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lojtarët e larguar. “Gazzetta Dello Sport” ka bërë një speciale pikërisht me këta 7 futbollistë të larguar në verë, të cilët në klubet e reja ta tyre kishin një start shumë të mirë të edicionit.

Pavard shënoi gol në debutimin me Olimpik Marsejën, Zalevski shënoi gol e dha asist me Atlantën, Taremi shënoi dy herë me Olimpiakosin në 20 minutat e parë në fushë, Arnautoviç ka shënuar një gol e ka dhënë 3 asiste te Crvena Zvezda, Bjukenën shënoi tregolësh në një ndeshje të La Liga ndaj Zhironës, ndërsa Stankoviç shënoi edhe në Ligën e Kampioneve me fanellën e Bryzh. Pastaj është Asllani, i vetmi që nuk ka shënuar në klub (e ka bërë në Kombëtare) por që ka lënë shenjë me lojën e tij te Torino në ndeshjen e fundit me Romën.

“Nuk e sheh shumë, por e ndjen shumë praninë e tij. Është truri gjithmonë i ndezur i Toros. I pazëvendësueshëm. 7,5”, është vlerësimi që gazeta italiane i ka vënë për ndeshjen ndaj Romës. “Pas një periudhe të shpejtë përshtatjeje me futbollin e Baronit, shqiptari ka bërë menjëherë të tijin Torinon. Po te Interi kur ishte ndonjë herë kaq i pazëvendësueshëm?”, ironizon gazeta italiane me klubin zikaltër.

1 Komente

  1. g
    gabimi

    Bravo Asllani ! Respekte!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje