Ndërsa tratativat midis Gallatasarajit dhe Napolit për transferimin e Viktor Osimhen vazhdojnë pa ndërprerje, klubi turk ruan në radar edhe një tjetër objektiv të rëndësishëm, Hakan Çalhanoglu. Mesfushori i Interit dhe i kombëtares turke mbetet një ëndërr e kahershme për Gallatasarajin, por për momentin, duket se kjo ëndërr është larg realizimit. Trajneri i Gallatasarajit, Okan Buruk, ka folur hapur për dëshirën e klubit për të rikthyer Çalhanoglunë në atdhe.
“Të gjithë e duan Hakanin, është një nga mesfushorët më të mirë në Europë,” deklaroi Buruk për median turke “Sporx”. “E njoh që kur ishte 16 vjeç dhe e di sa i fortë është lidhja e tij me Gallatën. Por tani për tani, çështja Osimhen është prioritare për shkak të ndikimit në buxhet”.
Sipas burimeve pranë klubeve, Gallatasaraji ka nisur kontaktet me Interin, por oferta fillestare për Çalhanoglunë, më pak se 10 milionë euro, është larg kërkesës së zikaltërve, që e vlerësojnë kartonin e lojtarit me të paktën 30 milionë euro. Nëse Gallatasaraji do të shpenzojë rreth 75 milionë për sulmuesin nigerian të Napolit, vështirë se do të ketë fondet e nevojshme për një tjetër operacion të tillë madhor. “Interi është një klub që kërkon të ardhura të konsiderueshme dhe është normale që të kërkojë një shumë të madhe për një lojtar si Hakan”, pranoi Buruk.
“Për momentin, nuk kemi ndërmarrë hapa konkretë për këtë transferim, sepse ende nuk e dimë saktësisht buxhetin që do të kemi në dispozicion”. Pavarësisht entuziazmit në rritje të tifozëve turq, kthimi i Çalhanoglusë në Stamboll duket i vështirë për momentin. Sidoqoftë, mediat turke nuk përjashtojnë një përpjekje të re në muajin gusht, veçanërisht nëse ndonjë shitje e madhe i lehtëson financat e klubit.
Lini një Përgjigje