“Linçimi i Hysajt” - Çfarë tregon për shoqërinë tonë dhe VIP-at e saj

19 Qershor 2024, 11:16Sport TEMA
“Linçimi i Hysajt” - Çfarë tregon për

Kritikat, talljet, sharjet, memet që vërshuan si lumë kundër Elseid Hysajt, pasi mbrojtësi i kombëtares sonë uli instiktivisht kokën ndaj goditjes së Barellës, duke i hapur rrugën golit të fitores së Italisë në kampionatin evropian, përveç shumë aspekteve të tjera që rrëfen për shoqërinë tonë, flet edhe si për një ndarje me thikë mes dy shtresave të ravijëzuara qartë: asaj “të ulët”, që përfaqësohet nga tifozët anonimë dhe një kaste që është prezent në jetën publike dhe në ekrane.

Historia tregon se mbrojtësi i kombëtares, pas gabimit që bëri, u vu në turrën e druve nga “të vegjlit” dhe u mor në mbrojte nga “të mëdhenjtë”. Të parët e tallën, i përmendën mosprishjen e flokëve me xhel, i bënë montazhe me helmetë, e kritikuan për mungesë sakrifice.

Natyrisht e gjithë kjo fushatë që buronte nga pezmi dhe zhgënjimi i pritshmërisë për të marrë një rezultat pozitiv kundrejt kampionëve të fuqi të Evropës, ishte irracionale. Shumë specialistë të futbollit shpjegojnë se asnjë mbrojtës nuk mund të fajësohet për një veprim të tillë.

Ai është një vendim i marrë në çast, nga një lojtar që për momentin mund ta ketë humbur nocionin e vendndodhjes në fushë, që ka frikë se topi i prekur mund të shkaktojë autogol ose goditje këndi, pra s’ka asgjë të përbashkët me mungesën e sakrificës apo neglizhencës nga ana e Hysajt.

Por pavarësisht nga këto gjykime të ftohta, fakti është se shpërthimi i kësaj vale kryesisht në rrjetet sociale ndikoi mbi mbrojtësin e djathtë të të kuqve. Si pasojë e presionit, ai u detyrua të mbyllë profilet e tij për publikun dhe më pas, me anë të një statusi në story në Instagram, të mbushur me gabime drejtshkrimore (çka tregon se e kishte shkruar personalisht) të kërkonte falje dhe të denoncohej nga instrumentalizimi, që iu bë këtë incidenti loje.

Por pati dhe të shumtë nga ata që e mbrojtën Hysajn, kryesisht personazhe VIP, të botës së humorit, Big Brotherit dhe gazetarisë.

“Ec përpara Elseid Hysaj, askush nuk do të ta hedh poshtë kontributin që ke dhënë dhe po jep për Kombëtaren”- shkroi Julian Deda krahas fotos së Hysajt. Po për këtë temë Blendi Fevziu reagoi me një video: “A e meriton Elsaid Hysaj kete linçim publik? Une mendoj qe ai po vuan nje fushate qe nuk eshte e drejte edhe pse forma e tij ne fushe linte per te deshiruar. Zgjedhja e tij eshte zgjedhje e Silvinjos dhe vetem ai e di perse Hysaj duhet te jete ne formacion. Nga ana tjeter shume lojtare te medhenj kane gabuar ne momente decizive” tha ai.

Edhe Dritan Shakohoxha në një intervistë për Euronews kujtoi se Hysajn e mbante mend që 12 vjeç duke mbajtur flamurin kombëtar në stadiumin e Shkodrës në ndeshjen Shqipëri Rusi (3-1) duke shtuar se ai është “heroi i Shqipërisë”. Pak a shumë në këtë linjë ishin të gjitha reagimet në mbrojtje të Hysajt, në studiot tona televizive të programuara për të qenë politikisht korrekt. Aty dukej sikur disa të privilegjuar po e merrnin në mbrojtje të singjashmin e tyre nga linçimi që i bënte turma anonime.

Në fakt, nuk është kështu. Kush e njeh sadopak futbollin dhe historinë e komplikuar të marrëdhënies midis idhujve dhe tifozëve të tyre e vë shumë lehtë në sfondin e saj real atë që ndodhi pas ndeshjes me Italinë. Personazhe shumë më emblematikë, dhe shumë më të adhuruar sesa Hysaj për shqiptarët, kanë qenë pre e ultrasve të tyre, kur kanë gabuar në ndeshjet e mëdha. Spanjollët nuk ia harrojnë as sot golin që pësoi një legjendë si Arkonada në finalen e Evropianit të 1984. Po ashtu, italianët nuk ia falën kollaj Baxhos penalltinë e humbur që i dha kupën e botës Brazilit. Shumë më të ashpër, gati racistë, qenë francezët pas goditjes me kokë të Zidanit ndaj Materaxit, që e nxori atë nga finalja me karton të kuq.

Pra tek ne nuk ka ndodhur asgjë e çuditshme që të alarmonte VIP-at që u shfaqën në mbrojtje të futbollistit të linçuar. Tifozeria është e tillë, aq emocionale dhe aq irracionale, sa me të njëjtën lehtësi që të ngre në piedestal, mund të të rrëzojë brenda natës edhe në humnerë. Po të mos ishin të tillë do të emëroheshin sportdashës, si në kohën e “Sportit Popullor”.

Prandaj me Elseid Hysajn nuk ka ndodhur asnjë gjë e veçantë, që nuk ndodh në shtete të tjera. Fushata dy ditore ndaj tij, nuk është tregues i asnjë dhune të ekzagjeruar verbale, i asnjë mungese mirënjohjeje dhe i asnjë përpjekjeje për rrafshimin e vlerave, që nuk hasen edhe në shoqëri shumë më të strukturuara sesa kjo jona.

Pra ndaj tij nuk ka ndodhur asnjë gjë e veçantë, përpos një eksesi tifozllëku, aq sa të kishte nevojë të merrej në mbrojtje. Mburoja që nxituan t’i dhuronin ata që deshën ta ruanin nga “vulgu” ishte e kotë dhe e panevojshme. Më shume ajo i ngjante tentativës për të ngritur një mur mes “të paprekshmëve” dhe pjesës së madhe të “të tjerëve”. Duke mbrojtur pa shkak Elseid Hysajn, dukej më shumë se një kategori vip-ash kërkonin të instalonin paprekshmërinë e statusit të tyre, nga tallja, kritika, karikaturizimi. Kjo e stërfishoi këtë fortunë në gotë që ishte thjeshtë një histori e zakonshme tifozerie. (Lapsi.al)

4 Komente

  1. P
    Populli

    Shqipot luftoje te pafajshmin nderkohe mbeshtesin te keqen

    Përgjigjjuni
    1. s
      spata

      O popull.Mire e thua por ndodh dhe ndryshe .E pe mbrojtsin turk po me numer 4 ,ne ndeshjen me Gjeorgjine ,se cfare beri .Futi koken dhe rezultati mbeti 2 -1 .Po te bente si Hysaj do ishte 2-2.Lereni kete histori ta vlersojne ata qe duan te bejne futboll dhe i lini menjan simpatite personale . Dhe une kam qene sportist .Kur nuk shenoja ne kosh bosh i gjithe stadjumi me shate te .... e te tjera. Kapja vetem koqet dhe nuk ndihesha me .

      Përgjigjjuni
      1. J
        Jari N

        Hysaj është kokrra e b/q, Legen djalë i cili tallet me djersën e ekipit tonë. Jazëk.

        Përgjigjjuni
        1. F
          Federata po gabone me tranierin

          Po ata 50 mije shikues te pranishem ne stadium e miliona te tjere shikues ne kanalet tv ky artikull shkrues a ka menduar ? - Federata ka bere nje gabim te rende me tranierin qe nuk ka pranuar te shtyje kontraten mbas europienit do te thote qe per kete tranier rrezultati nuk ka rendesi nje nga pikat me negative. E dyta mbrojtesi Hysaj perfaqesone nje kombe nje flamure nje shtete nese nuk ndihet mire te qendroje ne stol a e dini qe Shqiperia ka zhvilluar lojen me te dobet ne kete europien ? .

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje